Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar për pritat që qytetarët i bëjnë zyrtarëve të mazhorancës socialiste, duke komentuar gjuajtjen me vezë ndaj kryeministrit Edi Rama në Nju Jork dhe veprimin e deputetit Bledi Çuçi ndaj protestuesve.

Në reagimin e tij, Shehaj thotë se pushtetarët e qeverisë Rama dhe vetë kryeministri, pasi u kanë “nxirë jetën qytetarëve, kërkojnë prej tyre që tani t’i lënë të qetë”.

“U keni nxirë jetën shqiptarëve për 35 vjet dhe tani ankoheni pse nuk ju lënë rehat?! Kanë mbi 100 ditë që protestojnë dhe ju vazhdoni t’i injoroni. Por sa më shumë i injoroni, aq më shumë do t’ju kërkojnë llogari. Nuk mund të vazhdoni të vidhni e t’i përbuzni dhe të prisni që ata të heshtin. Duhet të largoheni!”, shprehet Shehaj në video-mesazh.

Sipas kreut të Mundësia, protesta prej më shumë se 100 ditësh e qytetarëve e ka ndryshuar përgjithmonë skenën politike dhe tashmë e vetmja zgjidhje që ka mbetur për këtë qeveri, është largimi sa më parë.

“Kjo protestë ka ndryshuar përgjithmonë skenën politike. Nuk mund të vazhdoni të vidhni, nuk mund të vazhdoni t’i përbuzni, t’i injoroni, sepse ata nuk lodhen. Duhet të largoheni, kjo është e vetmja zgjidhje”, e mbyll reagimin e tij Shehaj.

Reagimi i plotë i Shehajt:

Shikoni se çfarë iu tregon ish-ministri dhe deputeti i Ramës qytetarëve. Shqetësohen sepse qytetarët nuk i lënë rehat. Po pse, çfarë prisni ju?!

Iu keni nxirë jetën qytetarëve për 35 vjet. Iu keni kërkuar para kudo: në arsim, në shëndetësi, për një vend pune. Për të mos folur pastaj për legalizime apo për t’u dhënë pronën e tyre, atë që u takon. Prisni që tani ata të sillen si qytetarë model?

Po iu ka ardhur në majë të hundës. Kanë mbi 100 ditë që protestojnë dhe ju i injoroni. Dhe sa më shumë që ju vazhdoni t’i injoroni, aq më shumë ata do të vijnë tek ju, do të gjejnë forma të reja proteste. Sepse duhet të largoheni. Nuk mund të vazhdoni të silleni sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kjo protestë ka ndryshuar përgjithmonë skenën politike. Nuk mund të vazhdoni të vidhni, nuk mund të vazhdoni t’i përbuzni, t’i injoroni, sepse ata nuk lodhen. Duhet të largoheni, kjo është e vetmja zgjidhje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb