Anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Grigels Muçollari ka mbajtur fjalimin e tij përpara protestuesve të cilët janë mbeldhur përpara bashkisë.

Në fjalën e tij Muçollari shprehet se Erion Veliaj përveçse është nën hetim nga drejtësia, është nën akuzë edhe nga sytë e qytetarëve, pasi sipas tij kryebashkiaku së bashku me miqtë e tij kanë vjedhur paratë nga xhepat e shqiptarëve.

Muçollari u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen në këtë protestë dhe të reagojnë në lidhje me padrejtësitë që po iu bëhen.

Pjesë nga fjala e Muçollarit:

Të nderuar njerëz të lirë të këtij qyteti, të këtij kryeqyteti! Të nderuar njerëz të lirë të Tiranës sonë! Rezistenca jonë këtu, rezistenca juaj, por dhe shumë qytetarëve që s’kanë mundësi të vijnë, për mendimin tim, është një shfaqje e mrekullueshme e këtij vendi, e këtij qyteti.

Janë rrahjet e një zemre, të një trupi që po pësonte vdekje klinike. Rezistenca jonë ndaj këtyre dyerve, tashmë të ndryshkura të korrupsionit, ndaj kësaj godine që vjedhjen e kishte kthyer në një institucion, është përgjigjja më e mirë që mund të lëmë ndaj kësaj shoqërie, është përgjigjja më e mirë që fëmijët tanë mund ta lexojnë nesër.

Sepse ne po reagojmë për këtë qytet!

Për këtë kryeqytet pa tmTeatër Kombëtar.

Për këtë kryeqytet pa Muze Kombëtar të Historisë.

Për këtë kryeqytet pa Galeri Kombëtare të Arteve.

Për këtë kryeqytet që ka një bibliotekë ku librat përfundojnë në kuti bananesh.

Duhet të ndihemi të nderuar, sepse po japim energji.

Po përdorim këtë moment për të rivendosur ekuilibrin moral në një shoqëri mes pushtetit dhe qytetarëve.

Ne jemi njerëz të lirë.

Ne po e tregojmë këtë.

Po i ftojmë qytetarët anë e mbanë vendit.

Qytetarët e Tiranës, qytetarët e Shqipërisë, një gjë kanë tashmë të sigurtë.

Erion Veliaj është nën akuzë, dhe jo nga ajo drejtësi që ne mezi po e presim, por është nën akuzë në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Sot kushdo e di të vërtetën që ai kryebandit aty ka vjedhur së bashku me miqtë e tij miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, të taksapaguesve të Tiranës.

E si e di publiku këtë?

E di falë rezistencës tuaj, falë transparencës së opozitës, falë këmbënguljes së opozitës, që tashmë prej një viti ka reaguar, ka denoncuar aferën më të madhe korruptive, të padëgjuar ndonjëherë më parë.

Dhe ky është roli i opozitës.

Nuk po bëjmë asgjë speciale.

Ky është roli i opozitës, roli kushtetues në një republike demokratike.

Tani një thirrje kam ndaj shoqërisë.

Çfarë mund të bëjë shoqëria?

Si një e tërë, si çdo faktor opozitar, si njerëz me parti apo pa parti, si punonjës administrate apo ju policët që jeni aty, punonjës të shtetit tonë, të Republikës së Shqipërisë, të gjithë së bashku mund ta shfrytëzojmë këtë moment për të reaguar, për të rivendosur edhe një here raportin moral mes pushtetit dhe qytetarëve, kufinj për keta pushtetarë, por edhe edhe për ata që do të vijnë në të ardhmen.

Ky është një moment i artë që ne duhet të reagojmë.

Të gjithë qytetarët duhet të gjejnë formën e tyre për të protestuar, formën e tyre për të reaguar, pasi kjo vjedhje nuk mund të kalojë kaq kollaj.

Është e tmerrshme po kaloi keshtu.

Do të ishte vdekje për gjithë qytetin.

Qyteti përbëhet nga njerëzit.

Nëse njerëzit janë të vrarë në të gjitha aspektet e nuk reagojnë,  ne duhet t’i bindim që ata të reagojnë.

Një thirrje tashmë do ta bëj ndaj gjithsecilit, dhe jo si perfaqësues politik, po si qytetar.

Unë personalisht kam disa kohë që kam një frikë të madhe.

E dini cila është frika?

Që ditën që djali dhe vajza ime do të rriten, dhe do të më pyesin; “çfarë bëre ti babi në momentin që e pe dhe e kape hajdutin duke na vjedhur ne dhe ty?”

Kurrsesi nuk do doja t’i përgjigjesha “asgjë” dhe nuk besoj që asnjë nga qytetarët sot, apatikë apo jo, punonjës administrate apo jo, do donin t’i jepnin këtë përgjigje.

Kështu që, është ky moment për t’i dhënë një zgjidhje këtij tranzicioni kaq të gjatë, për të rivendosur një pikë fillimi, që kushdo pushtetar që kapet duke vjedhur paratë e taksapaguesve, të largohet, të shkojë para drejtësisë!

Do të shkojë para drejtësisë popullore nëse drejtësia aktuale, nëse sistemi i drejtësisë nuk e kryen detyrën e vetë.

Reagoni të nderuar qytetarë! Ky është momenti ynë ta ndryshojmë Shqipërinë, ta ndryshojmë Tiranën!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: