Nga ERMELINDA HOXHAJ* TIRANE- Agjencia Kombëtare e Provimit publikon datat e reja për profesionet e infermierisë, të cilat nisin më 19 janar dhe mbyllen në 28 janar 2015. Datat që u publikuan në dhjetor për këto profesione u shtynë, për arsye se në ato data u zhvillua testimi i kandidatëve që garonin për specializimet afatgjata në mjekësi. Në total, numri i kandidatëve që do të hyjnë në testim për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit është rreth 1300, ku vetëm në Infermieri të Përgjithshme janë 970 kandidatë.
PROVIMI DHE DATAT
Provimi i shtetit për rreth 1300 kandidatë në Infermieri, Mami, Imazheri, Fizioterapi, Logopedi dhe Teknik Laboratori do të zhvillohen në muajin janar, duke nisur nga data 19 deri në datën 28 janar. Në datën 19 starton provimi i Infermierisë dhe do të zgjasë 6 ditë, deri në datën 26 janar, pasi ka shumë kandidatë. Vetëm në Infermieri janë 970 kandidatë. Duke qenë se kapacitetet e AKP-së janë të kufizuara, çdo ditë testimi do të kryhet nga tri grupe; grupi i parë e nis provimin në orën 09:30, grupi i dytë në orën 12:00, ndërsa grupi i tretë e nis provimin në orën 14:30. Testi i provimit të shtetit në total përmban 50 pyetje me alternativa, që kanë të bëjnë me profesionin e kandidatët që po testohet. Në ditët në vijim AKP-ja do të publikojë emrat e kandidatëve në mënyrë që ata të bëjnë verifikimin nëse janë korrektë, si dhe të informohen se kur është data e saktë që ata do hyjnë në provimin e shtetit. Kandidatët që e kalojnë me sukses këtë provim kanë të drejtën që të pajisen me licencën e ushtrimit të profesionit.(Datat dhe oraret e provimit për infermierinë i gjeni në Gazeta Shqiptare print)

 

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: