Komisioni Evropian njoftoi se po ecën përpara me përgatitjen e një iniciative për të krijuar një “Mur Evropian kundër Dronëve” pas shkeljeve ruse të hapësirës ajrore të shteteve evropiane.

Ky është një sistem për zbulimin dhe sprapsjen e avionëve pa pilot përgjatë kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Ky vendim përforcohet nga incidentet e përsëritura të shkeljes së hapësirës ajrore të shteteve anëtare, ku më i fundit është regjistruar në Danimarkë.

Duke folur në emër të Komisionit, zëdhënësja e çështjeve të jashtme, Anita Hipper, theksoi se ekziston një model shqetësues veprimesh që nuk mund të injorohet më: “Shkeljet e hapësirës ajrore të shteteve anëtare nuk ishin të rastësishme. Ekziston një model i qartë, Rusia po teston kufijtë evropianë, po teston vendosmërinë tonë dhe po minon sigurinë tonë.”

Komisioni ka konfirmuar se iniciativa për të instaluar një “Mur Dronësh” është tashmë në një fazë të avancuar planifikimi. Është një infrastrukturë teknologjike që do të lejojë zbulimin e hershëm të dronëve dhe aftësinë për t’i sprapsur ose kapur menjëherë. Siç shpjegoi zëdhënësi i Komisionit për mbrojtjen, Thomas Rainier, projekti është ende në fazën e vlerësimit teknik dhe theksoi se elementët e tij kryesorë do të jenë dy: zbulimi i dronëve duke përdorur sensorë, radarë dhe teknologji të tjera, dhe reagimi, pra aftësia për t’i kapur, neutralizuar ose rrëzuar në mënyrë të sigurt.

I pyetur në lidhje me financimin dhe kohën e nismës, zëdhënësi i Komisionit, Olaf Gill, theksoi se “nuk mund të presim. Duhet të veprojmë shpejt. Tashmë ka fonde të disponueshme përmes programit SAFE”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb