Luis Hasa po zhvillon një sezon të shkëlqyer në Serinë B me fanellën e Karrarezes ku po kombinon gola me asiste për të mbajtur ekipin larg zonës së ftohtë e duke e afruar me atë të play-off. Paraqitje të cilat kanë sjellë vlerësime për futbollistin me tipare ofensive i cili është dhënë huazim nga Napoli te klubi në fjalë.

Por nuk dihet ende si do të vazhdojë karriera e lojtarit, nëse do të kthehet te Napoli pas përfundimit të këtij sezoni, apo do të jepet huazim në një klub tjetër. Kjo, pasi gjithçka ka lidhje me vazhdimin apo jo të Antonio Kontes në pankinën e napolitanëve, siç shpjegoi gazetari Paolo Paganini për “Radio Kiss Kiss Napoli”.

“Filozofia e Kontes, nëse vendos të qëndrojë në pankinën e Napolit, do të ishte ajo që të merrte lojtarë që kanë eksperiencë në Serinë A. Në mendjen e tij, mund të kthehet në modë Ndoj, i cili te Notingem nuk ka shkëlqyer si te Bolonja. Konte preferon lojtarë të gatshëm si ai, jo djem të rinj.

A do kthehen për të qëndruar Luis Hasa dhe Emanuele Rao që po bëjnë aq mirë në Serinë B? Nëse do të jetë Konte, do të nevojiten djem të mësuar me kontekste të rëndësishme, jo me kategorinë e dytë. Por nëse mbërrin Vinçenco Italiano, mund të ndryshojnë edhe strategjitë e merkatos të Napolit. Konte kërkon lojtarë që i njeh dhe për të cilët mendon se bëjnë për Serinë A dhe Ligën e Kampioneve”, tha gazetari italian.

Kësisoj, e ardhmja e Hasës pas mbylljes së këtij sezoni do të jetë e paqartë derisa të vendoset nëse Antonio Konte do të qëndrojë te Napoli apo jo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: