Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi sot një takim me intelektualë në Tiranë, ku u ndal te situata politike dhe funksionimi i demokracisë në vend.
Gjatë fjalës së tij, Salianji theksoi rëndësinë e respektimit të rregullave nga partitë politike, duke paralajmëruar se mungesa e tyre cenon vetë demokracinë.
“Pa parti që u nënshtrohen rregullave nuk kemi më demokraci. Sot nuk hiqet as dorëheqja si akt sublim. Politika duket sikur ka qëllim jo pjesëmarrjen e intelektualëve dhe qytetarëve, por dekurajim për të mos marrë pjesë në procese. Duket sikur debati real mbi ekonominë ose administratën publike nuk ekziston. Duket sikur zërat që reagojnë janë të çuditshëm, kur duhet të ishte e kundërta”, u shpreh aiSalianji ngriti shqetësimin për mungesën e zgjedhjeve reale si brenda partive politike, ashtu edhe për qytetarët në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.
“Mungesë zgjedhjesh reale si në PS, si në PD, mungesë zgjedhjesh reale të qytetarëve të përfaqësuesve të tyre, pasi kemi një sistem ku zgjedhin më shumë krerët e partive”, tha ai.
Në vijim, ai u ndal edhe te roli i SPAK, duke theksuar se ky institucion ka hapur rrugën për një pjesëmarrje të re politike përmes goditjes së korrupsionit në nivele të larta.
“SPAK hapi rrugën për një pjesëmarrje të re politike duke goditur rëndë korrupsionin, që po sjell një ndryshim gradual. Por është në një sulm të vazhdueshëm nga të gjitha palët politike. Duhet t’i jepet ajo që i takon, pasi po u reziston presioneve,” përfundoi Salianji.
