Ish-presidenti Bamir Topi nuk heziton ta quajë PS-në një “makineri lufte”, duke iu referuar peshës së saj elektorale dhe se si Edi Rama, sipas tij, ka forcuar lidhjet përmes interesave dhe përdorimit të strukturave që ai i sheh si trashëgimi nga Partia e Punës. Mazhorancën socialiste në Kuvendin e ardhshëm, Topi e sheh të konsoliduar me 84 mandate.

“Rama do të ketë 84 deputetë në Kuvend. E ka treguar se, kur i duhen 2 ose 3 vota shtesë, i merr pa problem”, u shpreh Topi.

Ish-kreu i shtetit paralajmëroi megjithatë se rreziku nuk qëndron më tek numrat në Kuvend, por tek ndikimi që kjo super-mazhorancë ka mbi institucionet e tjera shtetërore të cilat sipas tij do të jenë të intimiduara.

Nisida Tufa: Çfarë do të thotë një mandat i 4-ët i Edi Ramës dhe PS-së në raport me elektoratin?
Bamir Topi
: Rama, e para ka shfrytëzuar një histori politike të PPSH. Asgjë nuk ka humbur. Nuk e them këtë në kontekstin e një anatemimi që i bëhet një politike të caktuar, strukturat janë. Por ai nuk qëndroi aty, shfrytëzoi eksperiencën e asaj partie të mirëorganizuar dhe rinovoi linjat e angazhimit të të rinjve duke i afruar tek interesi dhe tek një program që ishte tërheqës për të rinjtë që vinin nga familje të majta. Ai që nuk merr listën dhe për të bërë vlerësimin statistikor, kot që merret me politikë. Ky vend, në të gjitha zgjedhjet, përjashto ato të 1992, ka një mazhorancë të lehtë të majtë, Edi Rama e ka forcuar përmes lidhjeve të interesit. Ai ka një makineri lufte dhe këtë do të vazhdojë ta ketë. Frika nuk është më tek PS për të ruajtur këtë elektorat, frikën e kemi ne të tjerët. Janë 83 vota, praktikisht 84 e ka treguar se për 2-3 vota kur i duhen e merr, frika është tek institucionet e shtetit të cilat po shkojnë në një lloj pozicionin ndaj partisë politike si një herë e një kohë. Kur ai forcon numrat në Parlament, ai shton intimidimin e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore sepse thotë s’keni më punë me Parlamentin në tërësi, por keni punë me mua personalisht. Gjithçka është në dorë të kryeministrit dhe përforcohet teza që kemi thënë, Republika nuk është më Parlamentare, por Kryeministrore…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: