Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha ka ashpërsuar tonet ndaj mazhorancës kur pritet të mblidhet Kuvendi lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit Belinda Ballukut.
I pyetur nga gazetari i News24, Osman Stafa nëse socialistët do të votojnë kundër heqjes së imunitetit, Berisha deklaroi se PS “nuk është parti, por organizatë kriminale”, duke e akuzuar për bashkëfajësi dhe mbrojtje të zyrtarëve të implikuar në afera.
Sipas tij, qëndrimi që do të mbajë mazhoranca për rastin “Balluku” do të jetë një tjetër provë e raportit të saj me drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.
Bashkëbisedimi me gazetarët
Osman Stafa: Z. Berisha, ditën e nesërme PS mbledh grupin parlamentar. A mendoni se PS do të marrë vendim për të mos votuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, të kërkuar nga SPAK?
Sali Berisha: Ajo është një repart krimi Osman. Ajo parti ka faktuar shqiptarëve që është mater matrix e krimit në Shqipëri. Nuk ka. Ajo parti ka krimin substancën, shpirtin, mendjen e vet.
Sepse është ajo parti që ka sjellë këtë situatë, është ajo tolerancë, ajo bashkëfajësi që kanë ata në vjedhje dhe të gjitha, dhe ajo parti nuk është gjë tjetër vetëm parti e krimit.
Aty Sara Mile dhe Arkend Balla janë lule çfarë janë ministrat dhe zyrtarët e tjerë të implikuar.
Prandaj, unë mendoj se mund ta përdorni fjalën parti, por më shumë se çdo gjë tjetër i shkon fjala organizatë kriminale.
