TIRANE

Të gjithë kryebashkiakët të cilët kanë tre mandate në krye të pushtetit vendor, pritet të mos kenë më mundësi për të rikandiduar në zgjedhjet e qershorit 2019-të.

Lajmi konfirmohet për “BalkanWeb” nga gazetari Ergys Gjencaj referuar burimeve brenda Partisë Socialiste.

Të njejtat burime thonë se do ta ngrenë si çështje dhe do kërkojnë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve një interpretim për vendimmarrje nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përcaktimin ligjor, sipas të cilit ndalohet rikandidimi për kryetar bashkie i të gjithë kryebashkiakëve që kanë 3 mandate në drejtim.

Nuk dimë nëse kjo është diçka e qëllimshme, por nëse një vendim i tillë merret përjashtohet nga gara një kryebashkiak i përfolur sëfundmi edhe për blerje votash, Vangjush Dako.

Kujtojmë që në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” që u miratua në vitin 2015, theksohej se kryetarët e bashkive u kufizohet e drejta për të kandiduar për këtë post nëse do të kalojnë tri mandate radhazi. Dako dhe të tjerë i shpëtuan këtij ligji i cili ka hyrë në fuqi pikërisht në 2015 pa pasur fuqi paravepruese.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb