Saimir Korreshi në një deklaratë pas mbledhjes së Sekretariatit të Etikës ku u vendos përjashtimi 15 ditë nga Kuvendi i Kreut të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka deklaruar se një vendim i tillë është marrë për të ulur zërin kritik të Bardhit.
Në lidhje me faktin që vendimi me përjashtim 15 ditë ishte gjysma e afatit të kërkuar nga PS, Korreshi tha: Na bënë ulje çmimi duke qenë se brenda 15 ditëve mbaron raportimi i institucioneve të pavarura. Vendimi kërkon të ulë zërin kritik që ka zoti Bardhi.
Ky i fundit theksoi se pyetjes drejtuar Komisionit të Etikës mbi prezencën apo jo në sallë të deputetëve socialistë firmëtarë të kërkesës për përjashtimin e Bardhit, nuk ju dha asnjë përgjigje.
“Kolegu Himçi kërkoi nga Sekretariati dhe Komisioni i Etikës që nëse kanë qenë prezentë në sallë ata deputetë që firmosën për përjashtimin e z. Bardhi. S’morëm përgjigje. Imagjinoni, sekretariati thotë: Ju thoni ca të doni, ne jemi gati të kalojmë në votim”, shtoi ai.
Korreshi theksoi se e vetmja “armë” që ka opozita janë pyetjet dhe denoncimet.
“Ironia më e madhe, po të shihni hyrjet e reja në Parlament, çuditërisht këta kërkojnë të mos mbyllet Parlamenti dhe thonë që opozita s’po ju jep të drejtën për të folur për hallet e popullit.
Këta s’duan të ketë denoncime normale. Dy janë gjërat kryesore, heshtja dhe mbyllja e gojës për të vetmen armë që ka sot opozita sepse numrat këta i kanë”, deklaroi Korreshi.
