KOLONJE- E majta mbyll fushatën për Bashkinë Kolonjë. Gjatë këtij aktiviteti, kryeministri Rama u kërkoi kolonjarëve të mbështetin kandidaturën e Ilia Stefos. Duke theksuar se është e rëndësishme që të gjithë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, Rama tha se me votë i jepet fund rrënimit, dhe i hapet rrugë zhvillimit. Por në fjalën e tij, kryeministri, teksa vlerësoi kandidaturën e Ilia Stefos, nuk i ka kursyer as batutat për Berishën duke shkaktuar goxha të qeshur mes simpatizantëve e votuesve të së majtës që ishin mbledhur në këtë aktivitet.
“Nuk e njoh kandidatin e tjetër dhe nuk mund të them asnjë fjalë për të, por njoh Saliun, kush fle me të, gdhihet me ato”, tha Rama. Me sa duket kryeministri e ka fjalën për shprehjen “Kush fle me qentë, gdhihet me pleshta”.
“Asgjë e mirë nuk i vjen Kolonjës nga ata që rrinë me Saliun. Më e keqja ka kaluar, ndërsa më e mira është ende para nesh. Ne kemi larë borxhet e lëna në bixhoz. Duam që Kolonjës t’i kthehet shkëlqimi që ka pasur dikur. Kush nuk voton mban anën e krahut të gabuar. Vota juaj do ndihmojë dhe PD-në të zgjohet. Vota për Ilia Stefon, një votë për qytetin”, tha më tej kryeministri Rama.
(BalkanWeb)
