Kandidati i Partisë Socialiste për deputet në qarkun e Beratit, Ervin Demo, ka deklaruar se situata në këtë qark është e qetë dhe procesi i numërimit po vijon pa probleme. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për News24, Demo theksoi se pritet që deri në orët e para të mëngjesit të së nesërmes të jenë numëruar të gjitha kutitë e votimit në qark.
“Sikurse karakterizohet gjithmonë Berati, situata është e qetë. Procesi u zhvillua në kushte të garantuara që i mundësuan çdo qytetari të shprehë lirisht vullnetin e tij,” tha Demo.
Ai vlerësoi fushatën e zhvilluar nga PS si të fokusuar te qytetari dhe problematikat konkrete të zonës: “Ne u përqendruam në ndërtimin e një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë me qytetarët, në identifikimin e nevojave dhe në ofrimin e një vizioni të qartë për zhvillimin e zonave.”
Sipas tij, më e rëndësishmja në këtë moment është që vullneti i qytetarëve të numërohet dhe respektohet deri në fund.
Në Berat janë numëruar 186 kuti nga 275 në total, ndërsa rezultati aktual favorizon ndjeshëm Partinë Socialiste. PS ka arritur të grumbullojë 25318 vota ose 58.37%, ndërsa koalicioni opozitar PD-ASHM ka marrë 30.22% ose 12110 vota.
Sakaq një numër të konsiderueshëm votash ka marrë edhe koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, i cili ka siguruar 3065 vota, ose 7.07%.
