Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një reagim për mediat e cilësoi vendimin e sotëm të PS për të mos miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, si një përpjekje të Ramës për të mbrojtur veten.

Blushi tha se Rama, i kapur me preshë në dorë, nën shantazhin e ish-vartëses së tij Belinda Balluku, u tha shqiptarëve të vërtetat e rënda se përballë drejtësisë ai dhe çeta e ministrave kusarë janë të paprekshëm, se drejtësia që veti e kapi për fyti nuk mund të guxojë t’i prekë dhe se ai e konsideron veten mbi Kushtetutën dhe mbi çdo ligjin.

Deklarata

Sot Edi Rama hoqi çdo maskë, shpalli varrosjen përfundimtare të Reformës në Drejtësi, për të cilën dikur akuzonte opozitën, dhe doli hapur para të gjithë shqiptarëve në mbrojtje të vetes dhe të aferave të tij skizofrenike korruptive duke rikonfirmuar filozofinë e tij kriminale që antikorrupsioni është më i dëmshëm se vetë korrupsioni, që ka na renditur sot sipas Transparency International, 11 vende më poshtë krahasuar me një vit më parë.

Sot Edi Rama, i kapur me preshë në dorë, nën shantazhin e ish-vartëses së tij Belinda Balluku, u tha shqiptarëve të vërtetat e rënda se përballë drejtësisë ai dhe çeta e ministrave kusarë janë të paprekshëm, se drejtësia që veti e kapi për fyti nuk mund të guxojë t’i prekë dhe se ai e konsideron veten mbi Kushtetutën dhe mbi çdo ligjin.

Edi Rama nuk foli për Belinda Ballukun, por foli për frikën e tij nga aferat e përbindshme ku është zhytyr kokë e këmbë dhe për të cilat më herët ka kërcënuar SPAK-un që edhe të mos guxojë t’i afrohet celularit të tij.

Sot ai konfirmoi tmerrin nga aferat e tmerrshme korruptive që mbajnë firmën e tij:

inceneratorin fantazmë të Tiranës me vlerë 130 milionë euro,

shkatërrimin dhe asgjesimin de facto të Portit të Durrësit;

koncesionet shkatërrimtare në shëndetësi me qindra milionë euro,

AKSHI-n dhe Eco Parkun ku është përfshirë familjarisht,

rrugët me çmime 8 deri në 12 herë më të larta se në BE, që po shkërmoqen në të katër anët e vendit dhe që për nga standardet e punimeve as nuk krahasohen me rrugëve, tunelet dhe veprat e mëdha infrastrukturore të ndërtuara, shumë herë më lirë dhe me cilësinë shumëfish më të lartë, nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, që kanë mbi 3 dekada që qëndrojnë në këmbë ndryshe nga rrugët e florinjta të dyshes Rama-Balluku që janë shembur ende pa u inauguruar.

Edi Rama foli për Belinda Ballukun edhe në emër të gjoja prezumimit të pafajësisë, ndërsa është po kryehajdut që për kundërshtarët e tij politikë, Ilir Meta dhe Sali Berisha i bënte thirrje publike SPAK nga tribuna e Asamblesë së PS për t’i arrestuar, pa pyetur askënd për këtë parim të shenjtë të shtetit të së drejtës.

Por mbi të gjitha, Rama rikonfirmoi se ka lepurin në bark edhe nga drejtësia e tij, që ende nuk e ka thirrur për ta marrë në pyetje për bonusin 8% që i dha kompanisë së inceneratorëve kur ajo nuk ekzistonte as në letra.

Prandaj sot ai sulmoi gjithçka: ligjin, institucionet dhe qytetarët.

Ky nuk është thjesht një sulm ndaj drejtësisë.

Ky është një sulm ndaj çdo shqiptari, ndaj dinjitetit dhe të drejtës së tyre për një shtet ku ligji është i barabartë për të gjithë.

Mesazhi i Edi Ramës sot ishte i qartë: Ministrat, drejtorët dhe patronazhistët qeveritarët mund të vjedhin dhe të mos ndëshkohen, ndërsa qytetarët të burgosen edhe për parkimin dysh.

Ndaj përgjigjia e sovranit ndaj Narkokryeministrit duhet të jetë po aq e qartë, asnjë pushtet nuk është mbi qytetarët dhe mbi ligjin.

Ndaj fjala tani u takon qytetarëve, të cilët në 12 mars do ta thonë qartë dhe me zë të lartë revoltën dhe zemëratën e tyre para Parlamentit të aneksuar nga krimi dhe korrupsioni e të shndërruar në një noter të aferave mafioze të Edi Ramës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb