TIRANË

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur të rrëzojë dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për noterinë. Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se grupi parlamentar i PS vendosi të rishikojë ligjin për kadastrën, i kthyer për shqyrtim nga Presidenti Meta.

Po kështu mësohet se ligjvënësit e PS kanë vendosur të rrëzojnë amendamentet e LSI-së për buxhetin. LSI kishte kërkuar në dhjetor që buxheti për arsimin të rritet në 5% të GDP. Mbledhja e socialistëve u drejtua nga kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla.

Me Dekretin nr. 11054, datë 14.01.2019, Presidenti i Republikës vendosi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.110/2018 “Për noterinë”, me qëllim rishqyrtimin e neneve 61, 65 dhe 76 të këtij ligji.

Sipas Presidencës, përmbajtja e nenit 61 të ligjit “Për noterinë”, nuk është i qartë dhe në harmoni me disa nene të tjera të këtij ligji. Gjithashtu sipas presidentit në ligj nuk garantohet trajtimi i barabartë i noterëve përballë kostos që duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre dhe nuk ofrohet siguri ligjore për mbrojtjen dhe mbështetjen e shtresave të pamunduara të shoqërisë.

Po kështu pas ligjit “Për noterinë”, Presidenti Meta nuk kaloi as ligjin “Për kadastrën”. Kreu i Shtetit dekretoi kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij por pak ditë më pas kreu i ALUIZNI-t Artan Lame e quajti të paargumentuar kthimin nga Presidenti. Lame deklaroi se në 14 faqe të Presidencës kundër ligjit nuk kishte asgjë dhe asnjë argument.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb