Vendimi i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj për të mos hyrë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, nuk i ka “qetësuar shpirtrat” në Partinë Socialiste. Edhe pse futja në garë pa opozitën do i garantonte rrjedhimisht një numër më të madh mandatesh, prapë për selinë rozë kjo nuk mjafton.

“BalkanWeb” mëson nga burime zyrtare të PS-së se tanimë disa prej aleatëve të vegjël që janë regjistruar në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhje janë “detyruar” të tërhiqen nga gara në mënyrë që votat e tyre të shkojnë vetëm për PS-në dhe të mos digjet asnjë mandat.

I pari që deklaroi tërheqjen nga gara dhe kalimin e votave të partisë së tij për PS-në ishte kreu i PSV ’91, Petro Koçi. “Kur subjektet regjistrohen secila vetmas atëherë vota duhet te përqendrohet tek subjekti kryesor që të fitohet e drejta e kryeministrit. Nisur nga kjo logjikë çdo votë për PSV 91 do të përqendrohet te PSSH”, – sqaroi Koçi një ditë më parë.

Ndërkohë po sot, tërheqjen nga gara e pohoi edhe aleati tjetër i Ramës, kreu i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri. “Ne rrethanat e krijuara prej PD pas pamundësisë së rregjistrimit të koalicioneve parazgjedhore pjesëmarrja e Partisë së Unitetit Kombëtar si dhe e partive të tjera aleate të së majtës socialiste në zgjedhjet e 18 qershorit, demton rezultatin elektoral të forcës së parë politike, PSSH, sepse votat që marrim ne, ikin dëm dhe nuk i shkojnë aleates sonë të madhe që po qeverisë me devotshmëri dhe përkushtim Shqipërinë e sotme. Nisur nga kjo logjikë, çdo votë për Partinë e Unitetit Kombëtar, e cila në zgjedhjet e fundit të qershorit 2015, mori 11.200 vota, duhet t’i jepen PSSH së kryeministrit Edi Rama”, – pohoi sot Idajet Beqiri.

Ndërkohë “BalkanWeb” mëson nga të njëjtat burime se pranë KQZ-së kanë depozituar kërkesën për tërheqjen nga gara e 18 qershorit edhe dy parti të tjera aleate të PS-së, respektivisht Partia Aleanca Demokratike si edhe Partia Socialiste e Moderuar.

Taktika elektorale që po ndjekin socialistët në kushtet kur PD duket se nuk lëviz nga qëndrimi i saj për të mos hyrë në zgjedhjet e 18 qershorit, interpretohet edhe si një lëvizje që synon të shtojë “hambarin” e votave për PS-në nga partitë aleate në mënyrë që të fitohet maksimumi i mundshëm i mandateve, që do i mundësonte Edi Ramës të qeveriste pas zgjedhjeve pa pasur nevojën e aleancës me LSI-në.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb