TIRANE- Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka me anë të një deklarate për mediat akuzoi kryebashkiakun Basha se ka dështuar në 4 vite në krye të Bashkisë së Tiranës, Sipas Xhaçës, për këtë arsye Basha nuk e shoqëron kandidatin e tij Halim Kosova.

“Lulzim Basha është zhdukur nga Tirana dhe nuk guxon më as të shfaqet në krah të kandidatit të tij për të takuar qytetarët e kryeqytetit. Dhe nuk ka faj. Luli është i ndërgjegjshëm që si kryetari më i dështuar që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës, ai nuk ka më ç’u thotë qytetarëve. Ka zgjedhur të ikë për t’i shpëtuar ballafaqimit për premtimet që s’i ka mbajtur dhe për premtimet që i ka shkelur me të dyja këmbët duke i mashtruar si pa të keq qytetarët. Do të dyfishohen hapësirat me gjelbërim, do të shpëtohen nga zënia me ndërtime e do të rehabilitohen hapësirat e gjelbërta ekzistuese, premtoi Luli në 2011. Por çfarë bëri në 4 vite? Jo vetëm që nuk ndërtoi asnjë metër katror park, por me Planin e tij Urbanistik u bë gati të shndërronte në sheshe ndërtimi pot 16 hapësira të gjelbra të kryeqytetit. Pra, Luli që premtoi dyfishim të hapësirave të gjelbërta në fakt bëri çmos që të kthente në sheshe ndërtimi: Hapësirën e gjelbër pas Pallatit të Kulturës; Lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare; Zonën e SHQUP; Parkun e Fushës së Aviacionit; Qytetin Studenti; Fushën e Sportit prapa Stadiumit Qemal Stafa; Ish shkollën Kosova; Fushën e Ali Demit; Ekspozitën Shqipëria Sot; Lodrat e 7 Xhuxhave, në rrugën e Elbasanit; Zonën e Lulishtes tek Vëllezërit Frashëri; Zonën e Digës në Liqenit; Zonën e Shkollës së Bashkuar; Dhe zonën e Kinostudios”.

Më tej Xhaçka shton se, “Për të zëvendësuar këto hapësira të gjelbërta që do të shkatërronte, Luli propozoi varjen e vazove me lule nëpër shtylla dhe mbjelljen e barit e pemëve në tarracat e pallateve. Sot Lulzim Basha bredh nëpër Shqipëri për të mos i prishur punë kandidatit të tij në Tiranë. Por qytetarët e kanë të qartë që çdo votë për kandidatin e Lulit është në fakt një votë për Lulin. Prandaj në 21 qershor ata do të votojnë për ta kthyer kryeqytetin në drejtimin e duhur. Dëshpërimi i PD që e ka braktisur Halim Kosovën është i madh. Pasi e ka lënë në mëshirë të fatit qoftë Luli, qoftë Saliu, që kanë frikë njëri më shumë se tjetri të shfaqen në krah të Halimit, Partia Demokratike mjaftohet duke nxjerrë çdo ditë të njëjtin zëdhënës, që përsërit çdo ditë të njëjtat absurditete. Në 21 qershor Tirana do zgjedhe drejtimin e duhur, duke votuar për Erion Veliaj dhe Aleancën për Shqipërinë Europiane”.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: