Marrja e pandehur nga SPAK, e numrit 2 të Qeverisë në terma politikë përkthehet si një “bingo” për opozitën. Kjo pasi, vënia e kundërshtarit në bankën e të akuzuarve për shkelje të cilat parashikojnë dënimin me burg deri 5 vjet në aspektin e perceptimit publik është një goditje për mazhorancën qeverisëse. Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka treguar se në rastet e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë nuk është ndalur me ngritjen e vetëm një akuze.

Belinda Balluku, njeriu më i pushtetshëm pas Edi Ramës, sot akuzohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe është marrë zyrtarisht e pandehur. Akuza ndaj saj vlerësohet serioze pasi në mes është një aferë e hetuar tanimë nga Prokuroria e Posaçme për një skandal me vlerë 190 milionë euro, në rastin e procedurave të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Për opozitën nuk mund të kishte “fitore” më të madhe nga aspekti moral se sa kur kundërshtari i drejtpërdrejtë politik inkriminohet. Më së paku, PD duhet të kishte këmbëngulur me forcë për dorëheqjen ose shkarkimin e Belinda Ballukut nga kryeministri Edi Rama. Në vend se t’i mëshonte me seriozitet këtij argumenti, deputetët e opozitës kanë bërë të kundërtën, duke ndërruar rolet ndërmjet Ramës dhe Ballukut. Pra, Rama nuk e shkarkon dot Ballukun dhe se është kjo e fundit ajo që i dikton kryeministrit vendimmarrjen. Një gabim politik ky që domosdo po përkthehet në vazhdimësinë e Belinda Ballukut si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, pavarësisht akuzave të SPAK dhe marrjen e saj të pandehur.

Pozicionimi i Edi Ramës është i kuptueshëm në këtë rast. Si kryeministër ai nuk ndihet i vënë nën presionin politik nga ata që ka përballë si kundërshtarë. Dhe jo më kot sa herë një zyrtar i lartë përfundon në pranga e ka të gatshëm deduksionin: “Kush ha dardha e kumbulla pas shpinës time e ka llogarinë të hapur me drejtësinë”. Edhe në rastin e Ballukut, Rama nuk vonoi të reagonte, një ditë pas lajmit të publikuar nga Neës24 dhe Balkanëeb se Balluku ishte e pandehur nga SPAK. Shprehimisht kryeministri deklaroi se “drejtësia është e lirë të bëjë punën e vet”. Por në fund të ditës ai nuk e shkarkon zëvendësen e tij, sa kohë faza e hetimeve nuk ia kërkon ende një vendim të tillë. Por politikisht Rama duhet të kishte firmosur, në radhë të parë për të çliruar kabinetin nga hija e SPAK që i avitet kohë pas kohe duke i goditur nga një emër pranë vetes. Dhe tjetra, pas 83 mandateve të fituara në 11 maj, Edi Rama e konsideron veten dhe formacionin politik që drejton të pamposhtur dhe opozita që ka përballë është shqetësimi më i vogël për të.

Shqetësim i cili duket se konfirmohet në rastin e goditjes së Belinda Ballukut nga SPAK. Reagimet brenda Partisë Demokratike kanë qenë fare të rralla dhe të rezervuara. Kjo mungesë reagimi bën që të lindë një pyetje: Pse ka frikë opozita nga një përballje e hapur me zv/kryeministren në detyrë, Belinda Balluku?

Edhe interpelanca e kërkuar në Parlament me Ballukun, mban vetëm firmat e 7 deputetëve të PD. Shkresa dhe formulari i firmave të dorëzuara në Kuvend mbajnë emrat e deputetëve si vijon: Klevis Balliu, Belind Këlliçi, Ledina Alolli, Ramadan Likaj, Xhelal Mziu, Flamur Noka dhe Eno Bozdo. Opozita numëron 50 deputetë në Parlament. 43 të tjerët për arsye që nuk dihen, kanë preferuar të qëndrojnë jashtë kësaj historie. Ndoshta ata mendojnë se nuk është betejë e tyre, por kjo zbeh seriozitetin dhe vendosmërinë që propagandon teorikisht PD për të qenë alternativë e pushtetit. Por pushteti nuk merret me duar në xhepa, e as lufta kundër korrupsionit nuk nxitet me fjalë boshe, kur veprat mungojnë atëherë kur duhet.

Në fund, pyetja mbetet: Pse shumë deputetë të PD nuk janë gati të përballen me Belinda Ballukun? A është kjo një shenjë frike, mungesë strategjie apo një interes madhor, rrjedhojë e superpushtetit ekonomik që ka patur ndër vite Belinda Balluku?

Qytetarët dhe demokratët meritojnë një përgjigje të qartë. Ata kanë të drejtë të dinë arsyet e heshtjes, motivet e qëndrimeve dhe faktorët që ndikojnë në vendimet e përfaqësuesve të tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb