Nga: ISIDOR KOTI*

Ditët e fundit, kryebashkiaku i Tiranës ngacmoi vëmendjen e qytetarëve në lidhje me kujdesin dhe mirëmbajtjen e pallateve dhe komplekseve të banimit në kryeqytet. Siç pritej edhe më herët, ai siguroi se bashkia do vendosë dorë mbi trajtimin e ambienteve të banimit, duke ofruar më shumë bashkëpunim me administratorët. Dendësia e ndërtimeve ndër vite dhe ato që po ngrihen rishtazi, ka nxjerrë në pah një problematikë të ndjeshme në perceptimin civil, pikërisht mirëmbajtjen e zonës përqark banimit, që shpesh, për të mos thënë gjithmonë, është lënë pas dore. Banorët janë pak të ndërgjegjësuar për të investuar për mirëmbajtjen e territorit ku banojnë (pallat ose grup pallatesh), dhe së dyti, është çështja ekonomike, ajo që quhet tarifë administrimi. Deri më sot, në rrugë vullnetare individuale ose kolegjiale është zgjedhur një mënyrë deri diku efikase, përmes vetorganizimit të banorëve, të cilët kanë zgjedhur një mirëmbajtës (ose në gjuhën zyrtare administrator), i cili kujdeset për mbarëvajtjen e ashensorit, pompave të ujit, pastrimin, gjelbërimin etj. Qeveria e djathtë miratoi në vitin 2009 ligjin 10112, i publikuar edhe në Fletoren Zyrtare, i huazuar nga modelet perëndimore, i cili qartëson detyrat dhe përgjegjësitë e palëve. Në thelb, banorët vetorganizohen, caktojnë një administrator që licencohet nga bashkia, krijohet një asamble e tyre, e cila ka funksione vendimmarrëse, dhe mbi bazën e një formule të zgjidhur po nga ligji në katër variante (tarifë sipas sipërfaqes së shtëpisë, sipas numrit të banorëve, me çmim fiks për çdo familje ose sipas katit të banimit), caktohet një tarifë mirëmbajtjeje, duke krijuar të ardhura që shkojnë për mbulimin e të gjithë zërave të shpenzimeve mujore.
Por ka një problem shumë serioz brenda ligjit, i cili në pamje të parë duket se është një rregullator mjaft i gjetur. Problemi qëndron në mënyrën e trajtimit të sipërmarrësve, të cilët kanë disa detyrime që mbeten për t’u diskutuar dhe për t’u ndryshuar sa më shpejt. Nëse depërtojmë brenda ligjit, kusht për licencimin e administratorëve të pallateve nuk është thjesht një kurs mujor trajnimi dhe një certifikatë kualifikimi. Kriteri numër 1 është hapja e një NIPT-i dhe regjistrimi i tij në QKR dhe QKL si person fizik ose shoqëri private. Që do të thotë, se një komuniteti i duhet të kthejë në biznes përfaqësuesin e tij ose shoqërinë (sipas kërkimeve tona nuk ka asnjë shoqëri deri më sot, përveç disave që janë në proces krijimi ose kanë mbetur në tentativë për t’u hapur, por kanë ngecur për arsye sigurie dhe frike se banorët nuk paguajnë).
Sigurisht, bashkia nuk heq dorë nga kujdesi i saj ndaj qytetarëve, por ligji i mbitakson ata, duke qenë se në momentin e deklarimit të të ardhurave do merret kasa fiskale, do pritet kuponi tatimor, do trajtohet përqindja e fitimit nga të ardhurat etj. Të gjitha këto të dhëna nuk janë shpikje, por fakte të kërkuara gjatë përpjekjes sonë për ta kryer këtë detyrë mbi baza ligjore. Në çdo institucion që do rrugëtosh për të hapur licencën, has këtë problem: nëse hap NIPT në QKR, do ndjekësh të gjitha procedurat tatimore, të cilat për logjikën e thjeshtë duken absurde. Si mundet që për një pallat të thjeshtë me 50-60 familje të hapet një NIPT në QKR? A mundet që një familje të paguajë 2.000 – 4.000 lekë të rinj në muaj për mirëmbajtjen (kjo shifër vjen e studiuar edhe nga specialistët e bashkisë)? Deri në deklarimin e të ardhurave, pagesën e siguracionit të administratorit mbi bazën e pagës së përcaktuar nga asambleja e banorëve, çdo gjë duket normale, por të tjerat krijojnë ngërç të paparashikuar dhe fare pak të njohur nga njerëzit, mbase edhe nga shumica e zyrtarëve që kanë aprovuar mekanikisht ligjin.
Të jemi realistë. Në pallatet e reja, askush nuk paguan më shumë se 1.000 maksimumi 1500 lekë të rinj, ndërsa në pallatet më të vjetra 400-500 lekë në muaj, gjë që do të thotë se me shumë vështirësi sigurohen të ardhurat bazë për shërbimet dhe paga minimale e administratorit. Në të shumtën e rasteve, njerëzit nuk paguajnë për shumë arsye, e ndërkohë me të drejtë ankohen për mungesë shërbimesh minimale. Konsensusi brenda bashkësisë është i vështirë për arsye të pikëpamjeve dhe interesave të ndryshme, sigurisht edhe prej prejardhjes. Tek e fundit, askush nuk është mësuar të paguajë për këtë lloj shërbimi dhe është krijuar ideja se këto janë punët e shtetit, të cilit i takon të vendosë dorën e tij të hekurt për zgjidhjen edhe të këtij lloj problemi komunitar.
Në Bashkinë e Tiranës ekziston një zyrë mjaft e organizuar dhe serioze, e cila kujdeset për trajtimin zyrtar të ambienteve të përbashkëta. Ajo merret me procedurat e regjistrimit të administratorëve në Librin e Administratorëve të Bashkisë, por numri i tyre është i paktë, sepse përveçse kjo punë është e vështirë dhe ka pak të ardhura nga banorët për mirëmbajtjen, të gjithë administratorët kanë frikë të regjistrohen si biznes privat në një fushë me mjaft risk, edhe pse të domosdoshme për t’u aplikuar, si në të gjithë botën. Në përvojat ndërkombëtare, njihen forma të ndryshme, të mbrojtura shumë mirë me ligj, por edhe në praktikë, ku çdo familje e di mirë se tarifa e ashensorit, pastrimit, është njësoj si tarifa e ujit dhe elektricitetit. Madje, pagesat janë disa herë më të larta, në një kohë që te ne tarifa varion nga 500-1.000 lekë në muaj (dhe këto shuma mezi mblidhen, mbase edhe në më pak se 50% të rasteve).
Ligji për administrimin e ambienteve të përbashkëta është i nevojshëm të rishikohet dhe të analizohet me shumë kujdes, në mënyrë që bashkë me kompetencat, përfaqësuesve të komunitetit t’u jepet e drejta të regjistrohen si mirëmbajtës të mbështetur nga bashkia dhe jo si biznese private që sigurojnë të ardhura për shtetin. Zëra të ndryshëm flasin që edhe tarifa e administrimit duhet të kalojë në pagesat e ujit dhe dritave, por edhe kjo është arbitrare, prandaj forma më e drejtë do të ishte mbështetja e përfaqësuesit të komunitetit nga organet kompetente të përmbarimit, për vjeljen e të ardhurave ndaj mospaguesve, të cilët duhen ndërgjegjësuar, përmes një ligji ndihmues dhe jo sanksionues ndaj të zgjedhurve nga asambletë e banorëve.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: