Nga Qemal Lame
Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”
Enver Hoxha, atë ditë, rreth orës 8:30, ishte duke ngrënë mëngjesin. Pasi janë përshëndetur, Alia shpjegon se Enveri e ka nxitur i pari për bisedën për Mehmet Shehun duke i thënë: – “Do të mbarojmë shpejt mbledhjen e Byrosë. Do të dëgjojmë fjalën e Mehmetit dhe unë jam dakord me atë që propozuat edhe ju.” Ne kishim propozuar vërejtje, kaq. – “S’kemi ça mbarojmë. Ai vrau veten”, i thashë. Ai shtangu. Ishte shumë befasuese për të. – “Pse e vrau veten? Ç‘a pati”, më tha. Nuk e priste, sepse në mbledhje nuk pati ndonjë arsye. Të tërë shokët diskutuan. Natyrisht, kritika kishte për të, por konkluzioni ishte t’i bënim një vërejtje”.
Ky shpjegim i Ramiz Alisë nuk mund të vlerësohet i plotë dhe i vërtetë! Në radhë të parë, menjëherë, në takimin më të parë, apo duke shkuar menjëherë tek Enveri, Ramizi kishte për detyrë ta vinte në dijeni për ngjarjen me kryeministrin, numrin dy pas Enverit. Në radhë të dytë, është i pajustifikuar fillimi i bisedës normale për një rend dite mbledhjeje të lënë, kur kishte ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, e saponjoftuar, se në vilën ngjitur ndodhej i vdekur, i vrarë apo i vetëvrarë, kryeministri, shoku e miku i tij!? Pretendimi për bisedën normale dhe për vendimin ose masën për një vërejtje nuk mund të pranohet i mirëqenë ashtu siç e ka shpjeguar Ramiz Alia.
Në rast se Enver Hoxha do të kishte pasur mendimin për një vërejtje, nuk do të ishte zhvilluar gjithë ajo dramë imponuese e kërcënuese me pyetje, kërkesa për t‘u thelluar etj. Presioni politik për qëndrimet e mbajtura dhe ai psikologjik për të reflektuar në ndërgjegje dhe për të dhënë shpjegime kanë tensionuar zhvillimin e mbledhjes dhe kanë ndikuar direkt në gjendjen shëndetësore dhe traumën psikike të Mehmetit. Qëndrimet ishin diametralisht të kundërta midis Enverit, Ramizit e anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, ndaj Mehmetit të vetëm, në kushte të disfavorshme të dyshimit dhe të synimeve për ta ndëshkuar atë me çdo mjet dhe për të pranuar akuzat se i kishte shkaktuar dëme të mëdha partisë dhe për t‘u vetëviktimizuar për gabime e faje politike.
Debatet kanë qenë shumë intensive për shkak të problemeve të inskenuara me akuza, kërkesa të rënda e detyruese për të pranuar fakte dhe vepra të caktuara, për të vetëdeklaruar veten fajtor për armiqësi, tradhti dhe spiunazh, si dhe ndërhyrjet me tone ultimative kanë agravuar në kulm mbledhjen, pozicionimet me shfaqje të theksuara armiqësie, agresivitetit dhe qëllimit për të dënuar dhe eliminuar politikisht dhe përfundimisht Mehmetin.
Ngjarja e vdekjes së Mehmet Shehut ka ndodhur pas mbledhjes sekrete në Pallatin e Brigadave, që me paramendim u organizua në fshehtësi për të mos marrë pjesë Mehmet Shehu. Po të ishte mendimi për një vërejtje, atëherë nuk kishte arsye që të bëhej mbledhja sekrete, pa dijeninë dhe pa praninë e vetë personit të akuzuar, anëtarit me rëndësi të këtij forumi, kryeministrit, numrit dy në hierarkinë e partisë-shtet, pasardhësit të afirmuar deri në atë kohë, shokut e mikut të ngushtë të Enver Hoxhës.
– Të dhënat e pakta që disponohen për mbledhjen e Byrosë Politike, tregojnë se të gjithë, si në një kor të orkestruar, ishin kundër Mehmet Shehut, e kritikonin rreptë dhe kërkonin që të jepeshin edhe më shumë shpjegime, megjithëse autokritika me shkrim më parë dhe diskutimi i Mehmetit nuk linin vend për dyshime të tjera.
– Nga qëndrimet e rrepta pritej që Mehmeti të pranonte dhe të pohonte akuzat që ishin bërë nga Enver Hoxha dhe Ramizi dhe ishin mbështetur nga pjesëmarrësit në mbledhjen sekrete, për të cilat kishin dijeni të gjithë, me përjashtim të Mehmetit që nuk ishte lajmëruar dhe nuk kishte marrë pjesë në atë mbledhje.
– Mënyra e ndarjes së Enverit dhe Ramizit nga Mehmeti pas mbledhjes, edhe po të vlerësohen të vërteta shpjegimet e njohura, nuk tregon për dashamirësi ndaj një shoku të vjetër që ka gabuar dhe kishte arsye të mendohej se do t‘i korrigjonte ato me ndërgjegje. Përkundrazi, dëshmohet armiqësia e vjetër që merr rrugën vdekjeprurëse në çastin më të përshtatshëm për të eliminuar kundërshtarin potencial politik. Këtë qëndrim e konstatojmë më qartë edhe në rolet e luajtura me mjeshtëri në mbledhjet e zhvilluara edhe kundër Kadri Hazbiut, të akuzuar si bashkëpunëtor i grupit komplotist të kryesuar nga Mehmet Shehu.
Ramiz Alia nuk thotë të vërtetën për masën “Vërejtje në kartën e regjistrimit”. Pretendimi i tij bie në kundërshtim edhe me mendimet e personave të tjerë që kanë qenë të pranishëm atë ditë. Në bazë të të dhënave që dëshmon Isuf Kalo, evidentohet fakti se: “Njerëzit e shërbimit që e kanë shoqëruar atë ditë janë të gjithë të bindur se Enver Hoxha nuk u befasua, por ishte tej mase i nervozuar.” Gjithë zhvillimet e mëparshme të bëjnë të besosh se Enveri ka qenë urdhëruesi, autori i vrasjes së kryeministrit në detyrë. Ai ishte i bindur dhe i sigurt që Mehmeti do të eliminohej atë ditë dhe do të pësonte fatin e viktimave të tjera të luftës për pushtet absolut.
Në kundërshtim me praktikat e njohura, Enveri nuk ka bërë shumë komente dhe nuk ka organizuar mbledhje urgjente të Byrosë Politike. Ai ka urdhëruar hetimin e ngjarjes. Në fokus të veprimeve të para vihet Kadri Hazbiu, ish-ministri i Punëve të Brendshme, megjithëse në atë kohë kryente detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Ai mbërriti në shtëpinë e kryeministrit të vdekur me porosi të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës. Nga të dhënat e njohura, del se ai kishte vetëm një mision: të merrte letrën që ish-kryeministri kishte lënë për të. Pa u bërë i njohur publikisht qëndrimi personal zyrtar i Enver Hoxhës dhe i Partisë së Punës, në momentet dramatike që përjetoheshin për ngjarjen e papritur, si dhe në rrethanat kur akoma nuk dihej se ç’qëndrim do të mbahej, Kadri Hazbiu u ka thënë familjarëve: “Gjesti i tij është i dënueshëm”.
Përcaktimi i rreptë i Kadri Hazbiut kuptohet lehtë e natyrshëm se është vazhdimësi e mendimeve dhe qëndrimeve të njohura më parë dhe së fundi në mbledhjen e Byrosë Politike, një natë më parë. Pjesëtarët e familjes së kryeministrit do të përjetonin edhe në ato momente fatale për çastin e së ardhmes edhe mosvlerësimin e drejtë të figurës e të veprës së Kryeministrit dhe të pozitës së tij si kryefamiljar. Për vetë njohjen dhe marrëdhëniet e gjata si pjesë e elitës politike të regjimit, pjesëtarët e familjes Shehu nuk do të habiteshin apo befasoheshin as nga ashpërsia e qëndrimi nënvleftësues e aspak njerëzor i dëshmuar edhe një herë para tyre prej Kadri Hazbiut, për arsye të njohura se kishte pasur pakënaqësi dhe dyshime prej kohësh nga vetë Mehmeti.
Porosia e Enverit për Kadriun që të marrë letrën e lënë nga Mehmet Shehu
Vajtja e Kadri Hazbiut në shtëpinë e Mehmet Shehut me porosi të Enver Hoxhës për të marrë letrën që mund të ishte shkruar dyshohet se ka qenë e qëllimshme. i besuari për këtë detyrë do të bëhet edhe i akuzuari kryesor si bashkëkomplotist. Mendimi i dhënë që në fillim nga Enver Hoxha, duke i thënë Kadri Hazbiut për të shkuar në shtëpinë e Mehmetit për të marrë letrën që ka lënë, është një fakt me shumë kuptime: është i menduar apo jo, lidhet me reagim spontan apo të paragjykuar më parë!? Në vlerësimin e këtyre ideve dhe paqartësive është e nevojshme që të mbahet parasysh gjithë veprimtaria e njohur e Enverit që nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe pas Çlirimit, qëndrimet dhe masat e marra për ngjarjet e rënda të vrasjeve të urdhëruara nga vetë ai, vetëvrasjet e dyshimta që kanë ndodhur në rrethana kur nuk është bërë e mundur ende të zbulohet qëndrimi i tij i vërtetë, si dhe nuk janë sqaruar dyshimet për realizimin e tyre nga personat e caktuar prej tij për të vepruar me fshehtësi dhe me qetësi: “pa zhurmë dhe pa bujë”, si në kohën e luftës në rastin e letrës dërguar Gogo Nushit etj.
Vlerësimi i kësaj thënieje ka rëndësi për origjinalitetin e letrës së Mehmet Shehut, si dhe për provat për akuzat në ngarkim të Kadri Hazbiut për zhdukjen e provave dhe si bashkëpunëtor i komplotit. Vizita e Kadriut u interpretua më vonë si një provë e akuzës ndaj tij për zhdukjen e gjurmëve të krimit. Kadri Hazbiu ka pranuar e sqaruar në shpjegimet e dhëna në hetuesi dhe para trupit gjykues se ai shkoi në shtëpinë e Mehmet Shehut me porosi të Enver Hoxhës. Por ky fakt i njohur është interpretuar duke arsyetuar një qëllim të paracaktuar nga vetë porositësi. Realizimi i kësaj porosie është përdorur si një provë e rëndësishme për të akuzuar vetë Kadriun si bashkëpunëtor në grupin komplotist për vrasjen e Enver Hoxhës.
Si në një dramë teatrale, porositësi me paramendim të caktuar formuloi edhe akuzën e paramenduar për ta dënuar. Kjo ndodhte po gjatë kohës që vetë Enver Hoxha kishte dhënë urdhër për të shkuar dhe për të marrë letrën dhe pas kësaj kishte formuluar akuzën se marrja e kësaj letre ishte bërë për ta asgjësuar atë?! Ngjarjet që janë zhvilluar më pas tregojnë se ky qëndrim është mbajtur me paramendimin për të ndërtuar dhe provuar edhe me dokumente akuzën kundër Kadriut si bashkëpunëtor i komplotit të kryesuar nga kryeministri. Për këto arsye, përjashtohet mundësia e një çrregullimi mendor që mund të vijë nga sëmundja e demencës, që zhvillohet tek të sëmurët me diabet, shqetësimet mendore ose për shkak të ndryshimeve fiziologjike në tru dhe në procesin e të menduarit në moshat e treta, siç ishte në atë kohë Enveri.
Enver Hoxha ishte udhëheqës me pushtet absolut. Nuk ka dyshime nëse Enver Hoxha edhe në kushtet e rënda shëndetësore vazhdonte akoma të ishte në gjendje të drejtonte. Enveri drejtonte faktikisht si përherë gjithë piramidën e partisë dhe të shtetit. Nuk mund të merrej asnjë vendim ose veprim me rëndësi për partinë dhe shtetin pa miratimin e mëparshëm prej tij. Enveri ka dominuar qëndrimet në mbledhjet e Byrosë Politike dhe të plenumit të Komitetit Qendror për Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun etj., si dhe ka ndjekur direkt dhe nëpërmjet Ramizit e Hekuranit rezultatet e porosive që ai vetë ka dhënë për hetimet dhe gjykimin e deri dënimin dhe ekzekutimin me pushkatim të pjesëtarëve më kryesorë të grupit komplotist.
Masat emergjente për ruajtjen e pushtetit
Partia vendos dhe gjithë piramida partiake dhe shtetërore vepron automatikisht për të zbatuar urdhrat e udhëheqësit. Menjëherë, pa kaluar as 24 orë nga njoftimi për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, udhëheqja e PPSH-së, me urgjencë, brenda disa orësh pasi u përhap lajmi i vdekjes, me një vendim të marrë pa u kryer veprimet e nevojshme ligjore dhe pa u bërë një analizë e domosdoshme e shkaqeve, rrethanave dhe motiveve të ngjarjes, e shpalli ish-kryeministrin armik të popullit. Udhëheqja politike vendosi kryesisht dhe në një situatë që dëshmonte realisht gjendjen e alarmit të udhëheqësit dhe orientimin dhe imponimin politik për organet e Partisë, institucionet shtetërore, medien dhe gjithë opinionin shoqëror.
Ngjarja do të njoftohej, kuptohej, interpretohej dhe diskutohej ashtu siç urdhëronte Partia. Vendimi i Byrosë Politike, si organi më i lartë i PPSH-së, dëshmonte qëndrimin e ashpër të udhëheqjes politike dhe të shtetit. Bëhej zgjidhja zyrtare politike dhe ligjore, siç veprohej praktikisht në mekanizmin shtetëror të diktaturës së proletariatit të udhëhequr nga Partia. Me vendimin politik të marrë udhëheqja nënvleftësonte dhe bënte pa rëndësi procedurat ligjore që kishin për detyrë të jepnin vendimin përfundimtar. Vendimi bëhej në fakt edhe zgjidhje e detyrueshme zyrtare që kërkohej të reflektohej menjëherë në veprimtarinë e organeve të Partisë dhe në institucionet shtetërore.
Formulimi politik ishte i detyrueshëm dhe i domosdoshëm që të pasqyrohej me saktësi në dokumentet ligjore. Çështja konsiderohej e zgjidhur faktikisht, megjithëse nuk ishin bërë hetimet e domosdoshme dhe nuk ishte arritur në konkluzione ligjore, nuk ishte vendosur përfundimisht nga hetuesia me anë të një procesi hetimor që ishte i domosdoshëm të realizohej në mënyrë të thellë dhe të gjithanshme për shkaqet dhe motivet e vdekjes. Institucionet shtetërore që garantonin pushtetin do të ishin të parat që do të merrnin masa të menjëhershme.
Forcat e Armatosura u vunë menjëherë në gjendje gatishmërie luftarake. Drejtuesit më të lartë politikë dhe ushtarakë në njësitë dhe repartet ushtarake do të ndërmerrnin menjëherë masa me anë të urdhrave, udhëzimeve dhe porosive me shkrim dhe me gojë. Ata do të shkonin menjëherë nga qendra në bazë, për të njohur konkretisht gjendjen dhe ndjekur nga afër situatën. Çdo mendim dhe veprim i ushtarakëve, oficerëve, ushtarëve dhe punonjësve civilë do të ishte nën kontroll të rreptë. Kadri Hazbiu nxiton të urdhërojë heqjen menjëherë të citateve të Mehmet Shehut nga materialet propagandistike figurative në repartet ushtarake.
Në bazë të vendimit të Byrosë Politike, reagon menjëherë, më 19 dhjetor 1981, ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Ai u është drejtuar komandave të korpuseve, grupimeve operative, komandave të shkollave ushtarake, ishullit të Sazanit dhe reparteve autonome të MMP, që të heqin të gjitha fotografitë, citatet dhe të gjithë urdhrat që mbajnë firmën e Mehmet Shehut. Ky urdhër duhej të zbatohej deri në datën 22 dhjetor 1981.
Një kopje e urdhrit i është dërguar edhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Ministria e Punëve të Brendshme, njëlloj si edhe ajo e Mbrojtjes, do të kalonte menjëherë në gjendje gatishmërie luftarake dhe do të reagonte me masa që do të mbanin nën kontroll zhvillimet politike dhe do të garantonte rendin. Policia do të forconte në mënyrë demonstrative praninë në ambiente publike, rrugë etj. Sigurimi i Shtetit do të vinte në veprim agjenturën e fshehtë për të njohur, kontrolluar çdo mendim, për të reaguar ndaj atyre që mendonin sadopak ndryshe dhe për të goditur me ndalime dhe arrestime ata që vlerësoheshin si të dyshuar për veprimtari armiqësore.
Nga Byroja Politike janë marrë masa për të mbajtur nën kontroll Forcat e Armatosura. Në të gjitha organet dhe strukturat partiake, institucionet shtetërore dhe njësitë e repartet ushtarake të Forcave të Armatosura u morën masa të menjëhershme për demitimin e linçimin e figurës së Mehmet Shehut. U urdhërua me shkrim për të hequr të gjitha fotografitë, citatet, veprat në qarkullim dhe çdo të dhënë e simbol figurativ që rikujtonte kryeministrin e “vetëvrarë”, “poliagjentin”, “tradhtarin”, “armikun” e Partisë dhe shokut Enver Hoxha.
