Gazetari Ferdinand Dervishi ka reaguar pas ndërhyrjes policore në godinën e televizionit News24, të tretin më të madh në vend, ku u bllokua hyrja e gazetarëve dhe u ndërpre sinjali i transmetimit. Ai e cilëson këtë veprim si të ngutshëm, të dhunshëm dhe me “panoramë terrori”, duke ngritur pikëpyetje se kujt i intereson dhe kush përfiton nga një shfaqje e tillë force.
Sipas tij, edhe pse vendimi gjyqësor për pronësinë e godinës ishte marrë tre javë më parë, televizioni duhej të kishte muaj kohë për t’u zhvendosur. Ndaj, mënyra e veprimit nuk i ngjan një procedure normale, por një mesazhi paralajmërues për të gjithë median.
Dervishi e krahasoi këtë mentalitet me atë të terroristëve, të cilët nuk mjaftohen me një goditje të fshehtë, por përdorin shpërthime për të krijuar panik e frikë në masë. “Ky është një mesazh hakmarrës e frikësues, jo vetëm për News 24, por për çdo media kritike ndaj pushtetit të një njeriu të vetëm”, theksoi ai.
Ferdinand Dervishi: Sot televizioni News 24, i treti më i madh në vend, u gdhi nën rrethim policor, u penguan gazetarët të shkonin në vendet e punës, u ndërpre sinjali i transmetimit.
Një vendim gjyqësor i 3 javëve më parë i ka njohur pronësinë e godinave, mbase edhe të truallit, Bashkisë së Tiranës.
Logjikisht, pas vendimit të formës së prerë të gjykatës, një televizioni i duhen, jo 3 javë, por 3, apo më tepër muaj kohë, që të zhvendoset në një ambient tjetër.
Pra pikëpyetjet më të mëdha për mua janë: përse po veprohet me kaq ngut, përse kaq dhunshëm, përse me panoramë e shije terrori? Kujt i intereson/pëlqen, kush kënaqet/masturbohet etj nga e gjitha kjo?
Përse po merret përsipër risku i dhunës dhe terrorit ndaj mediave në një vend që ka shumë probleme pikërisht me lirinë e medias?
Gjithë sa po ndodh për mua ka lidhje me psikologji diktatorësh e terroristësh, të cilët shohin te veprimet e dhunshme goditje hakmarrëse që, më tepër se kundër televizionit News 24, tentojnë të dhunojnë dhe terrorizojnë gjithë mediat dhe gazetarët kritikë ndaj shtetit që tashmë drejtohet nga pushteti i një njeriu të vetëm.
Është mentalitet i njëjtë me atë të terroristit. I cili nuk preferon të qëllojë me snajper apo kallash, por të vendosë eksploziv.
Sepse shpërthimet bëjnë shumë zhurmë duke shkaktuar panik në një numër të madh njerëzish, duke përcjellë mesazhin e forcës, dhunës dhe terrorit në maksimumin e mundshëm.
