E diela e shkuar u shënjua nga dy ngjarje politike sa banale për nga ripërsëritja por dhe shumë kuptimlota për nga mesazhet e lëshuara. Berisha zhvilloi protestën e 6-të kombëtare nën shenjën e molotovëve që lëshohen ku të munden nëpër rrugët e Tiranës, ndërsa Rama kishte ftuar në Podcastin “Flasim”, nja 3 vajza të reja shqiptare që kanë studiuar në Kinën Popullore. Të dyja ngjarjet nuk përbëjnë lajm në vetvete, por kur i sheh nën lupën e vijimësisë të sjelljes së dy drejtuesve më të rëndësishëm politikë të vendit, kuptohet se asnjëra ngjarje nuk përbën as rastësi e as spontanitet.

Janë dy ngjarje të menduara pavarësisht se keq dhe akoma më keq, pjesë e një “grand strategie” që vijon prej kohësh, por që nuk është një e tillë. Sepse këto ngjarje janë hallka të një zinxhiri ngjarjesh e retorike të mëparshme që i bashkon një linjë e qartë logjike. Por le ti marrim me radhë.

Tashmë “revolucionet e Bashës” janë konvertuar në “revolta paqësore”. Ka ndryshuar vetëm titulli pasi sjellja është e njëjta, që prej vitit 2017 kur “çadra e lirisë” u katandis në “pazarin me humbje” të PD-së. Dy vite më vonë kur PD provoi të sërish të trimërohej përmes protestave të forta të pas bojkotit të zgjedhjeve dhe dorëzimit të mandateve, rezultati ishte akoma më katastrofik. Nga një bilanc electoral me 15 bashki dhe 43 mandate në 2017, opozita u katandis me 0 bashki dhe 0 mandate deputetësh dy virte më pas. Por koha që rodhi vrullshëm që nga 8 shtatori 2021, në 8 dhjetor 2022, 6 mars të po atij viti, 14 maj të 2023 e 11 maj të 2025, vërtetë ndryshoi disi shifrat e përfaësimit, por në thelb konfirmoi vetëm një trajektore. Humbjet turpëruese. E për të gazifikuar humbjet seriale u rishfaq prapë molotovi nën tingujt e këngës aq të njohur të 2019 “roza Rozina”, duke shëtitur më flakëhedhëse sa nga bulevardi tek Kuvendi, e nga Myslym Shyri tek Sheshi Wilson.

Rezultati?

Indiferencë totale nga qytetarët, ca lajme tek faqet “nga bota e tretë” në disa gazeta perëndimore e ndonjë reportazh dramatik tek Russia Today! Kaq! E thënë shkurt “një vërrë në ujë” që përforcon sentencën e Ajnshtajnit se “për pafundësinë e universit kam dyshime, për atë të idotësisë njerëzore jo”.

Por kjo sjellje nuk është dhe aq idiote sa duket. Përkundrazi është e qëllimshme. Radikalizo për të qënë qëndra e gravitetit opozitar. A ia ka dalë Berisha njësoj si Basha që të godasë alternativat kritike brenda PD-së përmes radikalizimit? Po. A e ka çuar kjo sjellje drejt fitoreve elektorale?

Njësoj si Basha pikërisht jo! Atëherë?! Domethënë se nuk kemi të bëjmë më veprime konkuruese për pushtet por kaos gjysëm dhune e gjysëm kërcënimesh që simbolikisht përhapin panik, por që nuk trembin askënd. As Ramën, as SPAK-un që i qëndron Berishën mbi kokë me të paktën 3 cështje, e aq më pak ndërkombëtarët që po shohin se si Irani ndërkohë që lëshon raketa e dron kuturu, ndërkohë ka humbur luftën.

Por tani të vijmë tek Rama. Këto shakatë pa kripë që bën herë me kinezë, herë me rusë e herë me serbë nuk është se trembin kënd as në ëashington, as në Bruksel e aq më pak në Berlin e Londër. Përkundrazi e nxjerrin si një politikan që kërcen nga belaja që vetëm ai dhe ata e dijnë pse. Dicka dijnë edhe SPAK dhe Berisha, por aq bën. Por që kjo strategji kërcënimesh e tipit “mos më çoni SPAK-un tek dera e shtëpisë se e mora Shqipërinë në krah ta çojë në Pekin e Moskë”, i ngjan vallëzimeve të Maduros para veshjes me kapuç në kokë. Sa më shumë hiqej si lojtar global që kërcënonte interesat amerikane në Amerikën Latine si levë e Moskës e Pekinit, aq më shumë nuk e kuptonte se elefantët i shtypin hienat me këmbë. Dhe elefanti ishin SHBA!

Ndaj as kjo nuk mund të quhet strategji, pasi që të kërcënosh duhet të kesh fuqi ose krahë të ngrohta. E konjuktura gjeopolitike e Evropës dhe Ballkanit nuk lënë marzh suksesi për pirueta apo
“flip”-e të vendeve si Shqipëria. S’ke c’bën, kur nuk të do fati nuk të do! E pra thënë shkurt edhe Rama njësoj si Berisha po përdor pikërisht të njëjtën strategji, por që në fund të ditës mbetet kaotike dhe pa rezultat. Ka qëllime, por i mungojnë mjetet dhe fuqia. A i bashkojnë interesa të përbashkëta apo halle të njëjta dy “frenimie’ (miq dhe armiq njëkohësisht), këtë do e tregojë koha.

Por një është e sigurtë: kaosi nuk është strategji fituese ashtu siç Ajatollahët sapo emërohen ose bien dëshmorë ose flenë me tub oksigjeni nëpër bodrume. Natyrisht që asnjë njeri nuk u uron dy udhëheqësve tanë të njëjtin fat e as mundësitë që të ndodhin këto skenarë nuk ekzistojnë. Por simbolikisht sjellja është kjo. Lëvizje të forta pa një plan. Pasi për “grand strategies” as nuk bëhet fjalë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb