Një objekt i pazakontë, që i ngjan një radari portativ të shpejtësisë, ka filluar të shfaqet në disa rrugë të Evropës, duke shkaktuar konfuzion dhe madje panik tek drejtuesit e automjeteve.

Bëhet fjalë për një pajisje të vogël cilindrike, e vendosur zakonisht mbi tripod dhe e rrethuar nga reflektorë, pamja e së cilës i ngjan shumë radarëve të shpejtësisë që përdorin autoritetet rrugore për të identifikuar shkeljet.

Megjithatë, realiteti është krejt tjetër, pajisja nuk ka lidhje me kontrollin e trafikut dhe nuk përdoret nga policia rrugore.
Në fakt, ajo është një sistem i avancuar sigurie i quajtur PID360, i prodhuar nga kompania DeterTech, i cili përdoret kryesisht në kantiere ndërtimi, parqe eolike dhe zona të tjera që kërkojnë nivel të lartë mbrojtjeje.

PID360 është i pajisur me kamera panoramike 360 gradë me rezolucion të lartë, sensorë lëvizjeje dhe një sistem të integruar paralajmërimi me dritë dhe zë. Qëllimi i tij është të zbulojë hyrje të paautorizuara, akte vandalizmi apo tentativa për vjedhje, jo shkelje të rregullave të qarkullimit.

Ngjashmëria vizuale me radarët e shpejtësisë ka shkaktuar shumë keqkuptime, me drejtues që frenojnë menjëherë sa e shohin pajisjen në anë të rrugës, duke besuar se bëhet fjalë për kontroll të policisë.

Në disa vende ku përdoret kjo pajisje, autoritetet kanë vërejtur se prezenca e saj ka një efekt pozitiv në qarkullim, pasi shumë shoferë ngadalësojnë automatikisht ritmin e tyre, një efekt i ngjashëm me vendosjen e kamerave të rreme në rrugët europiane.

Sa i përket funksionit, sistemi PID360 aktivizohet automatikisht sapo zbulon lëvizje, regjistron të gjithë incidentin dhe, nëse është e nevojshme, dërgon menjëherë njoftime, video dhe sinjale zanore. Pajisja lidhet përmes rrjetit celular, duke lejuar transmetimin në kohë reale të materialeve në qendrat policore. Më shumë se 10.000 pajisje të tilla janë tashmë në përdorim në Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb