News24 dhe BalkanWeb raporton detaje të reja nga sherri mes dy të miturve në Sarandë, ku si pasojë mbeti i plagosur me thikë një 15-vjeçar. Ngjarja ndodhi në oborrin e një shkolle jopublike, ku një 13-vjeçar, me inicialet E.G., ka debatuar me 15-vjeçarin për shkak të një rruge të zënë.
Debati mes dy të miturve ka degraduar në përleshje fizike, pas së cilës 13-vjeçari ka nxjerrë një thikë nga çanta e shkollës dhe ka goditur 15-vjeçarin. Autori i dyshuar është larguar menjëherë nga ambientet e shkollës, ndërsa 15-vjeçari ka marrë një plagë në qafë.
I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin e Sarandës, ku mjekët bëjnë të ditur se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas njoftimit, policia ka shkuar në ambientet e shkollës, ndërsa 13-vjeçari vijon të jetë në arrati. Brenda pak javësh janë shënuar disa raste të plagosjeve mes adoleshentëve, disa prej të cilave kanë përfunduar me pasoja fatale. Më 25 nëntor, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, një 14-vjeçar goditi katër herë me thikë 15-vjeçarin Erjon Boba, i cili ndërroi jetë në spital 10 ditë pas ngjarjes.
Një tjetër incident u regjistrua edhe në Shkodër, ku tre të mitur u plagosën pas një sherri masiv pranë gjimnazit “Shejnaze Juka”, ku dy grupe adoleshentësh u përleshën me sende të forta dhe thika. Këto ngjarje po ngrenë kambanat e alarmit për sigurinë e fëmijëve, si në rrugë ashtu edhe në shkolla, ambiente ku shqetësuese mbetet futja e sendeve të forta dhe mjeteve prerëse. Motivet e konflikteve mes adoleshentëve shpesh janë banale, duke nisur nga sharjet në rrjetet sociale deri te përpjekjet për t’u dukur më të fortë se tjetri.
