Në një konferencë për mediat, deputetja e PD Albana Vokshi, ka evidentuar ecurinë e procesit të zgjedhjeve për kryetar dege të PD në të gjithë vendin.

E pyetur nga gazetarët se përse gjatë ditëve që bëhej raportimi për kandidatët që fitonin në degë të ndryshme të PD, rezultati jepej në përqindje dhe jo në numër, duke nënvizuar dhe se nuk u deklarua se sa ishte numri në total i anëtarëve të PD dhe sa prej tyre u angazhuan në zgjedhje, Vokshi deklaroi se në fakt ka pasur një problematikë të trashëguar.

Ajo tha se është përdorur e vetmja listë që është gjetur në sistemin e PD, e cila sipas saj ka pasur fryrje si dhe fiktivitet.

“Një problematikë e trashëguar është pjesa e listave të PD, e evidentuar edhe në zgjedhjet e mëparshme, por për të qene edhe të sinqertë, kemi përdorur të vetmen listë që kemi gjetur në sistemin e  PD dhe ka sjellë jo pak probleme në zgjedhjet në degë, ka fryrje dhe fiktivitet të listave që u evidentua edhe në zgjedhjet për kryetar dege, dhe detyra numër nji pas Kuvendit është fillimi i punës për lista të sakta jo fiktive të PD”, deklaroi Vokshi.

Pyetjes së përse në këto zgjedhje ka pasur më pak anëtarë sesa në Referendumin e 18 Dhjetorit, në të cilin u raportua se morën pjesë 43879 mijë demokratë, ndërsa deri tani në zgjedhjet për kryetar dege raportohet se kanë marrë pjesë 39512 mijë anëtarë, Vokshi deklaroi: E theksoj se janë dy degë ende për të zhvilluar zgjedhjet dhe shifra në total do jetë mbi 40 mijë anëtarë, gjithashtu përmenda që ka pasur probleme, ka pasur fluks, në Referendumin e 18 Dhjetorit ka pasur disa qendra votimi, duke bërë që të jenë më të askesueshme nga anëtarësia, ndërkohë që në për zgjedhjen e degëve, ka qenë vetëm një qendër votimi, gjë që ka bërë mbase të pamundur edhe ardhjen e votuesve. Ana tjetër, ka pasur shumë fluks që kanë qëndruar me orë pranë qendrës për të votuar dhe një pjesë e tyre janë larguar pa votuar, si dhe për shkak të listave që kanë pasur parregullsi ka pasur anëtarë që mund të mos e kenë gjetur emrin e tyre në listë”, u shpreh Vokshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: