Nga: SPARTAK NGJELA*
Gjendja jonë është e njëllojtë si në epokën antistaliniane, kur politika sovjetike i kërkonte Enver Hoxhës që të godiste stalinizmin në Shqipëri, si një fenomen kriminal. Por, ky fenomen kriminal godiste atëherë drejtpërsëdrejti Enver Hoxhën, sepse ai kishte qenë drejtuesi direkt i krimit stalinian në Shqipërinë komuniste dhe gjithmonë për interesin e tij personal të pushtetit patologjik që e donte me çdo kusht.
Enver Hoxha nuk e pranoi këtë rrugë, pra nuk pranoi të përgjigjej qoftë edhe politikisht për krimet që kishte kryer dhe e izoloi të gjithë popullin shqiptar nga bota e zhvilluar. Pastaj të gjithë e dinë se çfarë ndodhi këtu. Gjendja është e njëllojtë edhe sot: politika amerikane dhe politika gjermane, në ndihmë të Shqipërisë, i kërkojnë kryeministrit shqiptar që të luftojë korrupsionin dhe krimin shtetëror në Shqipëri. Çfarë do të bëjë ky kryeministër, a do ta luftojë fenomenin kriminal në Shqipëri, ashtu siç ia kërkojnë partnerët e fuqishëm, apo do të izolojë Shqipërinë si Enver Hoxha? Historia e Shqipërisë ka afro 100 vjet që në funksion të zhvillimit të saj shoqëror dhe ekonomik, në funksion të mirëqenies dhe perspektivës perëndimore, është përplasur me sëmundjen e krimit që ka drejtuar vetë shtetin dhe ka bllokuar atë perspektivë. Kjo është edhe pikëpyetja e sotme – nga do të anojë kjo maxhorancë dhe ky kryeministër: nga krimi që do sjellë sigurisht izolimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, apo do të veprojë në mënyrë drastikë kundër krimit shtetëror?
Shenjat janë që asgjë nuk do të bëjnë dot. Por, Shqipërinë nuk ka zot ta izolojë më dhe shqiptarët po humbasin kohë historike në zhvillimin e tyre perëndimor, se kryeministri që zgjodhën në qershor të vitit 2013, nuk dëshiron të bëjë reformën antikriminale në Shqipëri. Dhe vjen vërdallë me nonsense që të fitojë kohë. E çfarë kohe do të fitojë ky? Pyetja që ngrihet sot është kjo: do të luftohet fenomeni kriminal shtetëror sot në Shqipëri nga lart, apo kjo do të bëhet nga vetë populli nga poshtë? Kjo është pyetja që ngrihet sot para maxhorancës aktuale. A do t’i drejtohet popullit për ndihmë nëse korrupsioni është më i fortë në këtë pushtet, apo do të mbetet inerte për të fituar kohë në një vegjetim pa sens? Enver Hoxha u zvarrit katër vjet me pantallona nëpër këmbë, iki sot e iki nesër, gjersa gjeti më në fund Mao Ce Dunin që e mbajti për dymbëdhjetë vjet. Po ky kryeministër dhe kjo maxhorancë çfarë presin, mos ndoshta presin edhe këta një Mao modern që t’i mbajë në mbijetesën e krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri, ashtu si edhe mbijetesa e krimit stalinian në vitet 1956-1960? Enver Hoxha ishte atëherë figura kryesore e krimit stalinian në Shqipëri, por mos ndoshta jemi sërish përpara një kërkese si ajo e vitit 1956, që iu drejtua Enver Hoxhës?
Dy ambasadorë të angazhuar fort në vendosjen e moralitetit dhe demokracisë moderne në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann, janë sot në ballë të kësaj lufte morale për shqiptarët. Është gjë e madhe. Nuk më mbetet veçse t’i falënderoj për këtë ndihmë të madhe që po i japin zhvillimit shqiptar perëndimor dhe demokratik. Të dy ambasadorët dhe bashkë me ta, edhe politika amerikanë, edhe politika gjermane janë sot me popullin shqiptar. Me kë është sot kryeministri shqiptar dhe kjo maxhorancë? Kjo është pyetja që ngre sot çdo shqiptar i ndershëm që e do vendin e tij.
* Marrë nga “Facebook”

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: