Pyetja që shtrohet qysh në titullin e shkrimit lind natyrshëm kur sheh marrëdhëniet shumë të mira të PD-së me partitë simotra, me Internacionalen e Partive të Djathta dhe atë europiane, Grupin e Partive Popullore ne Parlamentin Europian, Asamblenë Parlamentare të KiE-së, etj. Gjatë dy viteve të fundit prania e PD-së në këto organizma dhe mbështetja e tyre ndaj saj janë shtuar ndjeshëm, sidomos pas kapërcimit të grindjeve dhe konflikteve të saj të brendshme. Madje, në dy vitet e fundit, forumet dhe kongreset e organizatave të lartpërmendura kanë miratuar me propozimin e PD-së disa rezoluta në mbështetje të saj, më e fundit, ajo e IDU-së më 6 Dhjetor në Uashington. Edhe pse realisht pa ndonjë jehonë publike dhe mediatike por thjesht partiake këto janë zhvillime të mirëpritura; ashtu si zgjedhja e Berishës si një nga zv.Presidentët e shumtë të CDI-së dhe e Albana Vokshit si zv.Kryetare e Forumit të Grave të EPP-së në Bruksel.
Megjithatë, kjo dukuri pozitive për PD-në nuk ka pse të hiperbolizohet dhe idealizohet. Ca më tepër, se megjithë rezolutat e shumta të së djathtës botërore dhe europiane, dëgjesat edhe në Parlamentin Europian dhe në Strasburg, efekti i tyre praktik në politikën europiane dhe në vendin tonë është pothuajse zero.
Le ta theksojmë se i gjithë ky aktivitet i dëndur diplomatiko- partiak nuk është qëllim në vetvehte, as thjesht për solidaritet dhe ngushëllim, por një nevojë për rolin e pritshëm të PD-së në rotacionin politik në Shqipëri. Çka nuk po duket në horizont, ndërsa premtimet plasin si “flluska sapuni” dhe shuhen si “flakë kashte”.
Më dëshpëruesja është se kjo mbështetje partiake ndërkombëtare nga e djathta, nuk ka patur asnjë lloj ndikimi te qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, edhe pse ato drejtohen nga liderë që i takojnë të djathtës së qendrës. Ndonëse ata janë në pushtet në 90 për qind të vendeve dhe organizatave europiane, ndërsa e majta nulerohet me gishtat e dorës. Edhe jehona brenda vendit është minimale.
Por, përpara se të shpjegojmë « pse-të » e kësaj dukurie, le të sqaroj se kam qenë dhe mbetem i majtë social – demokrat; në pjesën më të madhe të viteve 90, derisa rihyra në shërbimin diplomatik kam qenë aktiv dhe i zgjedhur në forumet drejtuese të PS-së dhe sidomos me sektorein e saj të jashtëm. Por, pavarësisht nga bindjet politike, forcimi i opozitës dhe sidomos i PD-së është me dobi dhe interes madhor për fatet e vendit dhe të demokracisë sonë të brishtë. Ndaj, në këtë shkrim jam nisur nga një këndvështrim pozitiv, oponent dhe konsulent ndaj opozitës.
Po e fillojmë duke theksuar se kur vijnë në pushtet partitë politike, si të majta dhe të djathta e humbasin forcën e ndikimit të periudhës opozitare te liderët e tyre tashmë në krye të qeverive apo ca më pak të koalicioneve qeveritare.
Normale se atje nuk ka “ parti shtet” por ”shtet të së drejtës”. Normalisht atje, pas ardhjes në pushtet, janë qeveria, parlamenti dhe institucionet përkatëse zyrtare që angazhohen me zbatimin e vijës dhe programit të miratuar më parë nga partitë. Këto të fundit nuk ndërhyjnë më në tematikat e përditshme dhe procesin vendimarrës, me përjashtim të rasteve të krizave dhe konflikteve madhore. Natyrshëm krijohet një distancë midis partisë dhe qeverisë tani në pushtet, ku e para vazhdon të merret me problemet e saj të brendshme dhe marrëdhëniet me partitë e tjera ” simotra”, ndërsa qeveritë e tyre angazhohen me Realpolitikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare me homologët e tyre shtetërorë dhe qeveritarë.
Në këtë proces të ndërlikuar vërehen jo pak raste kur qeveri të majta shkojnë shumë më mirë me një qeveri të djathtë se me ”simotrën” e saj të majtë. Ja shihni PS-në dhe Kryeministrin Edi Rama që me Italinë ka marrëdhënie shumë më të mira me të dy të djathtat atje se me homologen socialiste; po kështu edhe në Turqi me Partinë e Presidentit Erdogan. Kjo ndodh edhe me Francën, Gjermaninë, etj.
Kjo dukuri shpjegohet me faktin se ndryshe nga partitë që mbajnë lidhje vetëm me krahun e tyre politik, qeveritë ”janë të dënuara” ta mbajnë mirë me të gjitha qeveritë, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike, se vetëm kështu qeveritë e ndryshme do jenë në gjendje të zbatojnë programet dhe premtimet e tyre zgjedhore.
Në këtë proces të gjithanshëm bashkëpunimi, qeveritë dhe drejtuesit e tyre, krahas vlerësimit të anëve pozitive të vendeve që drejtojnë homologët e tyre, shohin dhe shqetësohen edhe për problemet dhe mangësitë e tyre. Madje, ua venë në dukje këto probleme dhe shqetësime në forume dhe takime dy dhe shumëpalëshe; veçse ndryshe nga partitë jo “ copë” “tullë” dhe në publik, por në konfidencë, në korridoret diplomatike, me finesë diplomatike, me mirëkuptim dhe besim se gjërat do të rregullohen. Gjithashtu, këto probleme dhe shqetësime shkruhen dhe vulosen edhe në dokumentat kryesore të BE-së, OSBE-së, KiE, NATO-s, etj sërish me tone të zbutura diplomatike, ndryshe nga zhargoni i drejtpërdrejtë i partive.
Me fjalë të tjera, liderët dhe diplomacitë e vendeve të ndryshme dhe organizatave ndërkombëtare nuk presin që problemet dhe shqetësimet tua thonë partitë e tyre, mbasi qeveritë kanë shumë burime zyrtare, nga institute dhe ambasadat e tyre.
Gjithashtu, ndryshe nga rezolutat e formacioneve partiake ndërkombëtare, përfshirë dhe CDI, IDU-në apo dhe Internacionalen Socialiste dhe Partinë e Socialistëve Europianë ( PSE), në rastin e qeverive dhe organizatave ndërkombëtare mbahen parasysh në radhë të parë interesat realpolitike dhe nevojat e mundshme me ndjeshmëri të lartë publike të tyre. Kështu, bie fjala ndërtimi i qendrave pritëse të refugjatëve jashtë vendeve të BE-së, si rasti i Kampit të Gjadrit me Italië, pritja e afganëve, strehimi i muhaxhedinëve iranianë, etj. Po ashtu, merret në konsideratë roli i vendeve të ndryshme për stabilitetin politik dhe të sigurisë rajonale, ku Shqipëria ka rol të veçantë në Ballkanin Perendimor. Madje, për hir të këtij stabiliteti ka raste kur ato e bëjnë “ njerin sy qorr dhe tjetrin vesh shurdh”.
Kjo mbasi sidomos pas agresionit rus kundër Ukrainës, stabiliteti politik dhe i sigurisë është përparësi edhe e BE-së, duke spostuar vlerat dhe parimet demokratike. Ndonëse në letër ato vlerësohen si përparësore, në praktikë ato shoesh sakrifikohen për hatër të gjeopolitikës. Edhe kur partitë i sinjalizojnë me shqetësim për difekte dhe deficite demokratike të Tiranës në rastin tonë, qeveritarët e tyre e kalojnë lehtë lumin duke rënë dakord në parim, por duke e balancuar problemin me rëndësinë gjeopolitike të Tiranës për stabilitetin rajonal, me disa aspekte pozitive dhe aq. Si partia dhe qeveria kënaqen se e kanë bërë të tyren.
Për rrjedhojë, megjithë rëndësinë e tyre brenda sinoreve partiake, rezolutat e forumeve partiake dhe atyre ndërkombëtare nuk kanë jehonë publike dhe mediatike; ato nuk përbëjnë as lajm, as ngjarje, ndaj dhe ”nuk të ngopin”. Kryesorja, ato nuk shërbejnë si pika referimi në procesin vendimmarrës të një shteti; aty përcaktuese janë vendimet e BE-së, NATO-s, KiE-së dhe OSBE-së.
U zgjatëm te kjo çështje për të theksuar se ka ardhur koha që PD-ja, pa nënvleftësuar diplomacinë e lartpërmendur ‘partiake të kalojë në ofensivë drejt diplomacisë ’qeveritare’ ose të Realpolitikës; sepse vetëm kështu, marrëdhëniet e saj me të djathtën europiane, përfshirë edhe rezolutat e tyre mund ‘të përkthehen’ në akte dhe qëndrime konkrete të qeverive të tyre ndaj vendit tonë, diçka ende nuk ka ndodhur dhe shenjat se gjendja po ndryshon janë të pakta dhe të vakta.
Natyrisht kjo lloj diplomacie drejt kancelarive qeveritare e opozitës sonë nuk është aq e lehtë sa thuhet, por jo e pamundur dhe mbi të gjitha është e domosdoshme për të ndryshuar sa më shpejt klimën dhe qëndrimet e faktorit ndërkombëtar ndaj situatës në Shqipëri. Pa dashur të mohojmë demarshet dhe përçapjet e PD-së, sidomos të disa eksponentëve dhe ekspertëve të saj të mirënjohur dhe tejet aktivë në këtë fushë, faktet gjithsesi nuk janë inkurajues. Mjafton të përmendim se deri tani nuk kemi parë asnjë Ambasador, Ministër të Jashtëm apo zyrtar tjetër të lartë qeveritar nga vendet ku qeverisis e djathta europiane, se për kryeministër as që bëhet fjalë që të takojë liderët kryesorë të PD-së në Tiranë, në Bruksel, Paris, Berlin, Romë dhe gjetkë. Edhe nga BE-ja, KiE-ja dhe OSBE-ja dhe NATO, asnjë Komisioner dhe drejtues i lartë nuk e ka takuar Berishën, as në Tiranë dhe as në Bruksel; kur ai ka qenë apo ta ftojnë në evente zyrtare. Vite më parë ishte praktikë protokollare që kur në Tiranë vinte një Kryeministër dhe Kryediplomat, ai takohej edhe me liderin e opozitës, ashtu sikurse këta të fundit kur shkonin në Bruksel, Uashington, Vjenë dhe Strasburg priteshin edhe nga drejtuesit e tyre të lartë.
Në përpjekjet për ta ndryshuar këtë situatë, kërkohet kujdes që këto takime, që mund të fillojnë në nivele më të ulta, të bëhen larg bujës dhe zhurmës mediatike, pa rrahje gjoksi, në korridoret dhe kanalet diplomatike dhe pastaj në nivelet më të larta qeveritare në Tiranë dhe metropolet europiane&amerikane. Shembull i mirë dhe inkurajues këtu ishin takimet e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi në muajin Dhjetor në Shtëpinë e Bardhë me Ndihmës Prokuroren e Përgjithshme dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Por ky ishte vetëm hapi i parë premtues.
Kjo tregon se këtu mundësitë janë të mëdha, falë edhe pranisë në PD të disa deputetëve, ekspertëve dhe figurave të saj dinjitoze që gëzojnë emër të mirë edhe në kancelaritë Euro-Atlantike, në forumet e BE-së, OSBE-së dhe KiE-së. Por, kjo kërkon vlerësim, punë hap pas hapi, me objektiva të përcaktuara, me rrjete dhe lobime miqsh e jo vetëm në prag fushatash për “dekor politik” dhe propagandistik.
Këtu, në respekt dhe duke vlerësuar pozitivisht rolin dhe ndihmesën e disa personaliteteve të mirënjohura të saj, PD-së i duhet një drejtues i lartë si Ilir Meta përpara 30 vitesh me PS-në. Në ato fillime të viteve 90, kur PS-në e njihnin a se njihnin 2 – 3 parti dhe të tjerat as nuk i afroheshin as fizikisht, Meta 23 vjeçar si Nënkryetar dhe Shef i Marrëdhënieve me Jashtë i PS-së me operativitet të pashembullt, fillimisht privatisht, duke shfrytëzuar praninë dhe lidhjet e FRESHIT dhe miqve të tjerë të huaj dha një ndihmesë të pazëvendësueshme jo vetëm për njohjen e socialistëve nga PSE-ja më 1995, por edhe nga qeveritarë të lartë në Itali, Greqi, Austri, Izrael, Danimarkë, Gjermani dhe gjetkë, madje duke u pritur edhe nga kryeministrat e tyre kur ai shkonte atje në evente të ndryshme.
Problemi është se tani barra diplomatike e PD-së është shumë më e rëndë se ajo e PS-së 30 vite më parë, sepse ka përballë një PS me 13 vite në pushtet, me një lider si Edi Rama që ka gëzuar mbështetje të gjerë ndërkombëtare në të gjitha krahët politikë, sidomos te e djathta në të gjitha nivelet, falë shumë hapave dhe lëvizjeve të njohura diplomatike dhe disa arritjeve mbresëlënëse, samitet në Tiranë dhe “ nderet” që u ka bërë homologëve të vet të mëdhenj me Gjadrin, strehimin e afganëve, muhaxhedinëve iranianë, etj.
Për pasojë, të huajt e kanë vështirë të besojnë menjëherë dhe tërësisht fabulat denoncuese dhe negativiste të PD-së apo qoftë dhe rezolutat partiake ndërkombëtare, sepse ata e dijnë se si hartohen ato. Ndaj në propagandën e saj, PD-ja nuk mund të injorojë këto hapa dhe arritje spektakolare të vendit tonë, as nga ana etike nuk shkon, sidomos bumin turistik, modernizimin infrastrukturor, linjëzimin e politikës sonë të jashtme me atë të BE-së, etj. Dhe pastaj, natyrisht të bëjë oponencën, sidomos duke u ndalur te kostoja tejet e lartë e këtyre arritjeve, pasojat ekonomike dhe sociale, krimin dhe korrupsionin galopant. Kështu ata do të dëgjohen dhe për rrjedhojë do të jenë më të besueshëm.
E themi këtë sepse BE-ja dhe SHBA-të i njohin mirë kusuret dhe gjynahet tona, madje i kanë shkruar ato “e bardha në të zezë” në dokumentat dhe raportet e tyre vjetore. Por, gjithsesi ato shohin edhe anët e mira, interesat e tyre gjeopolitike dhe faktin se në përgjithësi edhe organizatat ndërkombëtare u qëndrojnë besnik partnerëve të tyre qeveritarë kudo, sot dhe nesër, se me to kanë të bëjnë.
Ndaj, synimi i diplomacisë së PD-së lipset që të krijojë gradualisht bindjen se situata është e vështirë ndaj ajo do ndryshuar. Mirëpo kjo nuk bëhet vetëm ose kryesisht me deklarime dhe konferenca të përditshme shtypi që kthehen në rutinë, jo vetëm me denoncime, por me punë të përditshme, me miqtë dhe dashamirësit.
Dhe prapë këtu mund të mësohet shumë nga PS-ja në vitet 90, e cila arriti të sensibilizonte partitë por mbi të gjitha qeveritë në Europë për Çështjen NANO dhe Kushtetutën e vitit 1995. Në ato vite isha dëshmimtar okular se si liderët e PS-së hynë në kontakte edhe me Komisionerë të BE-së, me qeveritarë të lartë italianë, hungarezë dhe gjermanë; kështu, në vitin 1995, gjatë vizitës së saj në Tiranë, ish Kryetarja e Bundestagut Rita Sϋsmuth e CDU-së gjermane erdhi dhe takoi bashkëshorten e atëhershme të të ndjerit Fatos Nano që ishte në burg; Unioni Ndërparlamentar Botëror ( IPU)e ka shqyrtuar Çështjen NANO për disa vite në seancat e tij katër herë në vit, duke e shpallur në raportet e tij ”të burgosur politik”.
Po ashtu, falë aktivitetit dinamik të Nënkryetarit tjetër të PS-së, ish Kryetari emblematik i Grupit Parlamentar të PS-së dhe Kuvendit më vonë, Namik Dokle, ky deputet dhe polemist i papërsëritshëm dhe tani shkrimtar i mirënjohur, KiE-ja e ftoi opozitën shqiptare për debat dhe takime në Strasburg, ashtu sikurse Parlamenti Europian bëri të njëjtën gjë në fillim të muajit Qershor 1996 pas farsës dhe masakrës zgjedhore të 26 – 28 Majit 1996. Aty liderët e opozitës takuan edhe drejtues të Këshillit dhe Komisionit Europian, si dhe Ministrin e Jashtëm italian, Piero Fassino, i cili atë gjashtëmujor kryesonte Këshillin e BE-së.
E pra, pikërisht këto veprime me ndikim dhe jehonë ndërkombëtare nuk po i shohim sot me PD-në, as pas 11 Majit 2025. Përkundrazi, vetëm 2 ditë pasi ishin përshëndetur me Berishën në Kongresin e Partive Popullore në Spanjë, liderët europianë, shumica dërmuese të djathtë erdhën në Tiranë në Samitin e Komunitetit Politik Europian duke shprehur publikisht përgëzimet e tyre për Kryeministrin Rama për fitoren e mandatit të katërt! Duke e rrëzuar praktikisht fabulën e PD-së, e cila gaboi me mini protestën e saj pa asnjë rezultat në vend që të ishte pjesë e Samitit, ” në hije” ose me një mesazh përshëndetës dhe kritik.
Nisur nga sa sipër, si ekspert i kësaj fushe dhe diplomat, në funksion të një diplomacie aktive, afirmuese dhe rezultative, sugjeroj që PD-ja të shmangë sa më shumë të jetë e mundur kursin e saj antagonist dhe denoncues ndaj ambasadave të huaja dhe titullarëve të institucioneve ndërkombëtare, qoftë edhe kur bëjnë gafa politike si Komisionerja Kos kur foli për gjoja zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Nuk po thotë njeri të mos bëhen vërejtje dhe kritika, por kjo nuk ka pse bëhet në publik dhe me gjuhë të drunjtë, por me një “JO” diplomatike. Vërejtjet dhe kritikat do të kenë shumë më efekt kur të shprehen në takime të mbyllura, diskrete, jo si denoncim dhe demaskim, por me keqardhje, tolerancë dhe gjuhën e duhur diplomatike. Madje, kjo frymë të pasqyrohet edhe në njoftimet për median.
Ashtu siç u përmend edhe më lart, Në PD dhe në opozitën tonë në përgjithësi ka shumë deputetë, ish zv.ministra, drejtorë të lartë, ish Ambasadorë, diplomatë dhe ekspertë elitarë në të gjitha fushat dhe ata e kuptojnë mirë këtë realitet; mbetet vetëm të dëgjohen dhe ta pasqyrojnë atë në terren me mbështetjen e drejtuesve të tyre.
Në fund por dhe më e rëndësishmja, sado efektive të jenë metodat e lartpërmendura, ato nuk do të kenë sukses, nëse nuk shoqërohen me forcimin dhe rritjen e vërtetë masive të PD-së brenda vendit, që të pushtojë kudo sheshet.
Sepse Europa dhe BE-ja, të gjithë, përpara se të marrin një vendim politik në favor të opozitës, do shohin “ muskujt” dmth sa e fortë është PD-ja, ndikimi dhe madhësia e elektoratit me efektet e saj. Këtu gjendja është larg parametrave të kërkuar për këtë sfidë super herkuliane. Mjafton të thuhet se megjithë skandalet e rënda, përfshi edhe përmbytjet e pajustifikuara me investimet e 15 viteve të fundit prapë nuk ka as protesta të vogla, le më masive dhe PD-ja detyrohet të ngujohet në foltore këtu dhe atje, si dikur me çadra dhe aq.
Kjo ndodh sepse nuk ka besim te opozita, te roli dhe fuqia e saj. Sepse elektorati i saj iu bind për vite më radhë, zbriti në sheshe dhe protestoi masivisht por pa asnjë rezultat, madje më keq akoma kaloi në grindje dhe përçarje të brendshme që po vazhdojnë. Kryesorja, gjatë 12 viteve në opozitë, me mendimin naiv se qeveria do të konsumohej vetë, PD-ja nuk ka ende organizim të brendshëm , asaj i mungojnë qelizat bazë siç i kishte PS-ja këtu e 30 vite më parë.
Ndaj detyrohet ironikisht të veprojë me “metodën socialiste të aksionit“. Ja pse kërkohet urgjentisht krijimi dhe konsolidimi i njësive bazë kudo, duke punuar “derë më derë“.
Duke e krahasuar sërish me PS-në e 30 viteve më parë, këtu PD-së i mungon një Gramoz Ruçi, ky mjeshtër dhe artizan i rallë edhe në Europë i krijimit, forcimit dhe mobilizimit të makinerisë organizative të Partisë Socialiste në momentet e saj më të vështira për dekada të tëra. Aq sa edhe sot gati 5 vite pas largimit të tij vullnetar me dinjitet, pa asnjë borxh dhe njollë nga politika aktive, Gramoz Ruçi, ky lider i lindur, është atje për miqtë, dashamirësit dhe simpatizantët e shumtë; ku me një sms, ku me një kafe, një takim, një mendim….. Mirëpo Gramoz Ruçit, nuk i gjen dot në 30 vite në krye të PS-së një fjalë të tepërt apo lapsus, me një integritet të absolut politik, moral dhe qytetar, i respektuar jo vetëm te socialistët por edhe te kundërshtarët më të ashpër politikë. Mjafton të rikujtojmë se u desh të kujtohej ai si pasardhës, që busti i emblematikut të parlamentarizmit tonë, të ndjerit Pjetër Arbnori të zerë me ceremoni vendin e vet aty te sheshi i Kuvendit. Ai u doli zot shpifjeve dhe akuzave dhe shkoi në gjykatë në Shkodër në atë vit të nxehtë 1992 – 1993, ku me guxim dhe mençuri vuri të drejtën në vend, pa pritur të vinte në pushtet. Në të tilla raste, në Perëndim dhe në Gjermani thuhet vetëm RESPEKT!
Ndërsa sot në PD dëgjohet më shumë një kakofoni zërash, siç u pa së fundmi me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ku ajo “gatoi“ një çorbë politike të prishur me kandidatët e vet; nuk po hyjmë pastaj te debatet e brendshme të kohëve të fundit, me foltoret mjerane, që siç po shihet, më shumë i prishin se sa i rregullojnë punë!
Pa u zgjatur, për PD-në, edhe si pasojë e gabimeve të saj fatale të viteve të fundit, pa harruar shpalljen “non – grata“ të liderit të saj që mbetet në fuqi, tani për tani nuk ekziston as fryma dhe as ndonjë shenjë për ardhjen e saj në pushtet as brenda dhe rrjedhimisht as jashtë vendit. Lidhur me kritikat ndaj qeverisjes së deritanishme socialiste, megjithë rezervat dhe vërejtjet e faktorit ndërkombëtar, prapë, elektorati ynë i mençur i referohet aforizmës së njohur se “e keqja më e madhe është ajo që nuk njihet” çka prapë shkon në disfavor të PD-së.
Kohët e fundit, pas arrestimit të Maduros në rradhët e opozitës vërehet një eufori e tepruar me pritshmëri të larta për ardhjen e saj në pushtet. Mirëpo duhet kujdes, ajo çka ndodhi në Karakas më 3 Janar dhe në vijim, vështirë të ketë të bëjë me demokracinë, me opozitën dhe me ndryshimin e sistemit e ca më pak të pushtetit, por me shkaqe dhe faktorë të tjerë që janë shpjeguar më parë. Gjithsesi, sido që të ndodhi, kjo nuk sjell detyrimisht dhe automatikisht opozitën në pushtet, ca më tepër kur gjendja e saj është ende larg nivelit të kërkuar. Ndaj, është më e udhës që opozita t’i kthehet thënies së urtë popullore se “ I zoti e nxjerr gomarin nga balta“
Përfundimisht, nëse PD-ja synon seriozisht të fitojë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029, apo t’i afrojë ato, ajo duhet sa më shpejt të fillojë të shtrëngojë radhët nga brenda, të bëjë reforma të guximshme nga brenda vehtes, me bashkim dhe jo me ndarje, siç po ndodh edhe tani, në sheshe dhe jo në foltore, të hapet realisht drejt të rinjve, artistëve, inteligjencës, të moshuarve, me reforma dhe jo me retorikë, me ndryshime rrënjësore dhe të besueshme dhe jo me make- up dhe kozmetikë; duke i shoqëruar përpjekjet nga brenda me demarshe intensive diplomatike, tanimë me kancelaritë zyrtare qeveritare; se rezolutat partiake nuk ta “mbushin lugën“ ato të ngushëllojnë moralisht, por nuk të çojnë drejt pushtetit.
Ndryshe, opozita jonë do të vazhdojë të shpenzojë energji të shumta për gati një muaj të tërë, duke u “bërë copë“ nga lart – poshtë për organizimin e një proteste kombëtare si ajo e 24 Janarit! Se protesta është bindëse dhe me efekte përshkallëzuese kur ajo vjen nga poshtë – lart, nga qytetet dhe rajonet kryesore dhe me një strategji të mirëmenduar dhe që do zbatuar. Per fat të keq, kjo strategji, që t’i përgjigjet saktë pyetjes “Po pastaj“? ende mungon; në vend të saj dëgjojmë deklamime të tipit se “ja dhe pak, se do të bëjmë namin“ por në terren asgjë nuk ndodh, asgjë nuk lëviz dhe asgjë nuk ndryshon“
Mirëpo, pa këtë hap dhe hop cilësor organizativ, gjithçka do të mbetet “wishful thinking ose dëshirë e mirë” dhe opozita do të vijojë të vegjetojë, duke na kthyer në një monizëm, tanimë me vello pluraliste, për të cilën opozita do të ketë pjesën e saj të madhe të fajit.
