Duhet vlerësuar fillimisht ajo që po bën Salianji, Alimehmeti, Kalaja dhe të tjerë. E para sepse nuk kanë vendosur të rrinë të vulosur, por t’i dalin përballë rrënimit të partisë së tyre që i kanë besuar idetë, kohën dhe kontributin. Por, e dyta dhe si lëvizje emancipuese, pas shumë vitesh kënetore të kësaj partie. Paçka problemeve që ka Partia Demokratike dhe i ka treguar vazhdimisht në historinë e saj, ndryshe nga PS-ka ka pasur disa beteja të brendshme. Jo pak të shëmtuara.

Për dallim Socialistët i kanë pasur më rrallë por më institucionale dhe i kanë besuar votës së anëtarëve, këto të Demokratëve duken se kanë qenë thjesht si shizma ndaj Berishës. Berisha vs Të Tjerë, kaq mbetet narrativa e Demokratëve për të gjithë ata që kanë guxuar ta sfidojnë Doktorin legjendar. Këtë po mundohet ta bëjë tani Lëvizja “Salianji”, duke treguar problematikat dhe duke e parë shqetësimin në sy. Berisha dhe deputetët e tij që fituan mandatin falë pozicionit shumë të favorshëm që u dhuroi kryetari ishin shumë konfuz në orët e fundit teksa pyeteshin nga gazetarët.

Vetë Berisha e ka marrë me sportivitet dhe është duke menduar strategjinë sesi do t’i shfryjë njerëzit e kësaj lëvizje, që me sa shihet ende nuk po e shqetësojnë si duhet, anipse vetëm i kanë rritur motivimin. Ndërsa deputetët e tij e kanë kyçur gojën dhe i duhet të shohin sesi do të rrjedhë kjo lëvizje, sa do të mobilizojë, cilët të pakënaqur do t’u bashkohen, por edhe konjukturat, Berisha duket se e ka një plan në kokë. Ndaj, deputetëve të tij u duhet ta ndjekin me kujdes edhe pozicionin e Berishës kundrejt tyre, që është njeriu që i mban në sofrën e madhe të politikës si aktorë të dorës së dytë.

Ndërkohë grupit “Salianji” nëse do të donin të bënin diçka thelbësore, gjë që do të shihet në ditët në vazhdim, u duhet ta bëjnë me nxjerrjen e një dokumenti. Është e pamundur të bësh një lëvizje pa prodhuar një dokument.

Me fuqinë e një marrëveshje, ata që do t’i bashkohen legjitimojnë jo thjesht fraksionin por edhe idenë e tyre sesi do të jetë ideja e tyre për partinë dhe këtë stad të kësaj lëvizje. Deri tani në ide, nuk janë larg Berishës dhe njerëzve afër tij: Ankesa dhe konstatime, por jo objektiva dhe qëllimin se ku do të arrijnë.

Sa më shpejt të prodhojnë një dokument, aq më të besuar do të jenë, sa më kuturu të jenë, aq më pak të besuar do të bëhen. Sepse demokratët që kërkojnë ndryshimin i mbushin sallat por duan të dinë realisht se ku do të shkojnë. Shpesh janë manipuluar.

Dhe, politikanët, ku Salianji ndryshe nga të tjerët e ka provuar bajagi parlamentin, besoj se e dinë mirë këshillën e De Gol: “Politika është një çështje shumë serioze për t’u lënë politikanëve”. (Javanews)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb