Ndërsa Redjan Rraja është vënë në pranga nga policia si një ndër autorët e atentatit me tre të plagosur ndaj prokurorit Arjan Ndoji, ende zyrtarisht nuk dihet se cili ka qenë objektiv i të shtënave.

Një ndër pistat ku Krimet e Rënda kanë shtrirë hetimet është edhe konflikti i pronave në bregdet, ku përfitues ishte Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi përmes familjarëve.

Kujtojmë se një vit më parë, u vodh posta e prokurorisë në Durrës e cila sipas burimeve kishte të dhëna sensitive që lidheshin pikërisht me skandalin e pronave në bregdet. Dyshimet asokohe ranë sakaq mbi punonjësit, të cilët ishin në dijeni me saktësi të të gjitha lëvizjeve, ndërsa grabitja ndodhi pikërisht në kohën kur hetohej skandali i pronave në bregdet.

Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi i njohur me nofkën Rrumi, rezulton të jetë vëllai i drejtorit të Postës në Durrës, Albert Muharremi.
Sakaq burimet thanë se një i afërm i Redjanit është përgjegjës i postës në Fushë Krujë, duke pasur si epror Albert Muharremin, vëllain e Pëllumb Muharremit (Rrumi) i mbetur i plagosur në atentat. Prokurorët po hetojnë lidhjen mes personazheve, interesat e tyre në cështjen e skandalit të pronave dhe aktiviteteve të tjera kriminale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb