Pas një viti ëndrrash, ku fitoi çdo trofe të mundshëm individual, ku pa diskutim “qershia mbi tortë” ishte “Topi i Artë”, Ousmane Dembele është kthyer në çështje në shtëpinë e PSG, kjo pasi palët janë përfshirë këtë periudhë në një diskutim të nxehtë në lidhje me të ardhmen e tij. Klubi francez po përpiqet këtë periudhë të blindojë disa nga titullarët më të rëndësishëm të ekipit, dhe një prej tyre është edhe Dembele.
Sipas mediave franceze, PSG i ka paraqitur Dembeles ofertën e parë për rinovimin e kontratës, një ofertë prej 30 milionë euro në sezon, por ky propozim nuk është pëlqyer nga përfaqësues të lojtarit të cilët pretendojnë afro dyfish. Sigurisht, palët nuk e kanë me nxitim pasi Dembele ka një kontratë të vlefshme deri në 2028.
Pas një fund viti të vështirë, ku pjesën më të madhe të kohës e kaloi në bokse, Dembele është rikthyer në fushë në 2026 duke bërë menjëherë protagonistin, madje në finalen e Superkupës së Francës realizoi një gol të bukur përballë Marsielle.
