PSG e shndërron në seancë stërvitore sfidën kundër Inter Miami, kalon me lehtësi ekipin amerikan duke triumfuar me “poker” golash. Messi me shokë ishin të pafuqishëm për t’i bërë ballë furisë franceze. Ekipi të Luis Enriques i mjaftoi vetëm një pjesë lojë për të mbyllur llogaritë, ku Joao Neves ishte njeriu i ndeshjes, me talentin portugez që realizoi një “dopietë golash.

Pas vetëm 6 minutash lojë, Neves në shtyllën e dytë ndoqi mirë aksionin dhe me një goditje të saktë me kokë kaloi PSG në avantazh. Në të 39-tën, Neves e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë, i shërbyer pastër në zonë nga Fabian Ruiz. Inter Miami e kishte shumë të vështirë të kapte topin, duke u dorëzuar totalisht në fushë përballë PSG. Në të 44-tën, një kros i fortë në zonë i Doue detyroi mbrojtësin e Inter Miami të devijonte topin në portën e tij. Për të kompletuar “pokerin” e golave mendoi Hakimi që pas një aksioni të gjatë në zonë arriti të shtyjë topin në rrjetë.

Në fraksionin e dytë, Luis Enrique nisi një vals zëvendësimesh duke freskuar ekipin, por dhe një shenjë respekti ndaj Messi, Suarez, Jordi Alba etj, të gjithë ish lojtarë të tij në kohën e Barcelonës së famshme.

Në fund kishte kohë vetëm për përqafime mes tyre, pasi PSG dhe Luis Enrique kanë nisur të mendojnë për sfidën e 5 korrikut kundër Bayern Munich në fazën çerekfinale të Botërorit për Klube.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb