Pasojat e pandemisë së koronavirusit, kanë filluar të vërehen tek njerëzit në aspektin e problemeve të shëndetit mendor. Këtë e konfirmon psikiatri i njohur kosovar, Dr. Afrim Cana, i cili në një bisedë për Mediafokus.info pohoi se pandemia ka ndikuar në prishjen e ekuilibrit emocional tek njerëzit.
“Pandemia, padyshim që ka ndikuar në gjendjen emocionale te njerëzit dhe ka një ndikim të vazhdueshëm në kuptim të prishjes së ekuilibrit emocional. Prishja e këtij ekuilibri tërheq pas vete edhe probleme tjera në fushën e shëndetit mendor të individit e që manifestimet e më pastajme janë kryesisht të karakterit individual”,- thotë Dr. Afrim Cana, për Mediafokus.info.

Sipas tij, manifestimet klinike vërehen përmes simptomave me çrregullime të ankthit e depresionit, por edhe ekzacerbim apo përkeqësim të sëmundjeve mendore serioze, sepse, siç tha ai, faktori kohë ka ndikim direkt në manifestimin e tyre. “Pandemia në përgjithësi e afekton në tërësi jetën individuale, por edhe kolektive pasi karakterizohet me masa të shumta restriktive-kufizuese, të cilat pastaj prekin shumë sfera në jetën e individit”, shton Cana për Mediafokus.info.

Psikiatri i njohur ka folur edhe për një pjesë të madhe të kosovarëve, të cilët janë deklaruar se nuk besojnë se ekziston virusi COVID-19.

“Në shumicën e rasteve njerëzit kur ballafaqohen me situata të tilla që vlerësohen si kërcënuese, shpeshherë përdorin mekanizma mbrojtës joadekuat. E, një ndër ta, është edhe mekanizmi i mohimit. Pra, individi edhe pse gjendet në një situatë të tillë, ai të gjitha sjelljet dhe qëndrimet e tij i paraqet mohuese karshi ndodhive në të cilat ai gjendet. Pastaj, edhe situata e përgjithshme politike në të cilën vendi ynë ka kaluar gjatë kësaj pandemie, ndryshimet në qeveri, kanë pasur impakt direkt në krijimin e këtyre opinioneve në popullatë, pasi mendoj që kur bie besimi në institucione adekuate, atëherë shumë shpesh njerëzit krijojnë stereotipe të ndryshme të cilat nuk përkojnë me realitetin aktual”, ka deklaruar psikiatri Dr. Afrim Cana, që është edhe drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor në regjionin e Gjilanit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: