Publikimi i dosjes McGonigal me të dhëna të reja nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka rikthyer në vëmendje debatin politik dhe hetimor në Shqipëri.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar menjëherë, duke paralajmëruar se të hënën do t’i dorëzojë zyrtarisht SPAK-ut dokumentet e reja të bëra publike në SHBA.
Bardhi kërkon transparencë të plotë dhe nxit Prokurorinë e Posaçme të heqë “pluhurin” nga dosja Rama-McGonigal. Sipas tij, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Publikimi i dosjes me të dhëna të reja për aferën Rama-McGonigal nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, është më së shumti një këmbanë alarmi për Prokurorinë e Posaçme se kjo çështje nuk do mund të lihet kurrë në harresë.
Si kallëzues i kësaj afere në SPAK, të hënën do t’i paraqes zyrtarisht prokurorëve të posaçëm të dhënat e reja të bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, me shpresën se ky zhvillim i ri atje do të heq pluhurin nga dosja penale në Shqipëri.
Gjithashtu, në përputhje me të drejtat që më njeh ligji procedural penal, do të rikërkoj informacion mbi hetimin e kësaj çështje dhe veprimeve hetimore që janë zhvilluar gjatë kësaj kohe, duke shpresuar se këtë herë SPAK nuk do të më ndalojë me vendim publikimin e informacionit. Qytetarët kanë të drejtë të kenë transparencë të plotë mbi këtë hetim dhe ecurinë e tij. Askush nuk mund të trajtohet si i paprekshëm dhe mbi ligjin.
