Nga: ZONJA VJOLLCA
1 kg patate
500 gr fileto pule
1 kokërr qepë
2 thelpinj hudhër
1 spec të kuq
1 spec jeshil
50 ml salcë domate
Kripë
Piper i zi
Piper i kuq
Trumzë
2 lgj gjalpë
2 lgj miell
400 ml qumësht
100 gr djath pice

Fillimisht qërojmë patatet, i presim në feta rrumbullake dhe i shtrojmë në një tavë të lyer me vaj ulliri. I marinojmë patatet me kripë, piper dhe trumzë dhe i vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 15-20 minuta.

Ndërkohë në një tigan me dy lugë vaj ulliri kaurdisim qepën të grirë në kubikë të vegjël dhe dy thelpinj hudhër të prerë shumë imët. Sapo qepa të fillojë të zbutet shtojmë mishin e pulës të prerë në kubikë mesatare. E kaurdisim mishin e pulës së bashku me qepën derisa të ndryshojë ngjyrë e të fillojë të zbardhet dhe më pas shtojmë specat të prerë në kubikë. E rregullojmë gatimin me kripë, piper të zi dhe piper të kuq dhe e lemë në zjarr për 3 minuta.

Largojmë tavën me patate nga furra dhe mbi patate vendosim mishin e kaurdisur me qepë dhe speca.

Në fund përgatisim beshamelin duke tretur fillimisht gjalpin. Shtojmë dy lugë miell dhe e trazojmë me gjalpin për 3 minuta pa ndërprerje, më pas shtojmë qumështin duke e trazuar vazhdimisht me telin e vezëve. Në fund shtojmë kripë, piper, pak arrëmoskat dhe beshamelin e përgatitur e shtrojmë në tavën me patate dhe mish. E nivelojmë në të gjithë sipërfaqen duke e spërkatur me djath dhe e vendosim tavën përsëri në furrë për 20-25 minuta të tjera.
(er.nu/vila24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb