PRISHTINE – Në Kosovë, edhe këtë vit Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi përmes të cilit 620 punëkërkues në Zyrat Komunale të Punësimit do te angazhohen për tre dhe dy muaj ne pune sezonale.
Në bazë të kësaj marrëveshje, ata që do të rekrutohen nga Zyrat Komunale të Punësimit, do të angazhohen në dy projekte: Programi “Shuarja e Zjarreve në Pyjet e Kosovës” si dhe Programi i Menaxhimit të Qëndrueshëm të Pyjeve, që nënkupton: rrallimet para-tregtare, krasitja e kulturave pyjore, hapja e brezave kundër zjarrit, mirëmbajtja e kulturave pyjore të pyllëzuara vite më parë si dhe mbrojtja e tyre dhe në rast nevoje edhe pjesëmarrja në damkimin e masës drusore.
Për programin e parë do të angazhohen 120 punëkërkues për 3 muaj me pagë 250 euro. Ndërkaq për programin e dytë do të angazhohen për dy muaj 500 punëkërkues me pagë po ashtu 250 euro. Duke qenë se nuk është hera e parë që nënshkruhet dhe implementohet një marrëveshje e tillë, përparësi në rekrutim do të kenë ata që kanë marrë pjesë në programe të mëhershme, pasi që edhe kanë përvojën dhe trajnimet e nevojshme që i kryen Agjencia e Pyjeve të Kosovës.
Ministri Memli Krasniqi tha se një bashkëpunim i tillë ka sjellë rezultate konkrete. “Përveç që kemi siguruar punë sezonale për këta punëkërkues, janë dhënë rezultate të rëndësishme në mbrojtjen dhe shtimin e masës drusore në Kosovë. Viti i kaluar ka qenë viti më stabil sa i përket zjarreve, dhe kjo ka qenë rezultat edhe i angazhimet që kanë bërë punëtorët sezonal por edhe mekanizma të tjerë”, ka thënë ai.
(er.nu/BalkanWeb)
