Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se, në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës, do të zbatohet Plani i Menaxhimit të Trafikut me kufizime të përkohshme të qarkullimit.
Sipas ARRSH-së, në datat 6 dhe 7 gusht 2026, nga ora 00:00 deri në 04:30, do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit. Për këtë arsye dhe për garantimin e sigurisë rrugore, do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Durrës–Tiranë.
Gjatë këtij intervali, trafiku që lëviz nga Durrësi në drejtim të Tiranës, Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohet në rampat e autostradës Thumanë–Kashar.
Mjetet me destinacion Aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar–Thumanë, ndërsa automjetet me destinacion Tiranën do të orientohen, përmes sinjalistikës së përkohshme, në rrugën dytësore, duke u rikthyer në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit.
