Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka marrë pjesë në punimet e plenarit të 74 të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Europian (COSAC) të mbajtur në Kopehagen në 30 nëntor 2025, ku ka mbajtur një fjalë mbi rrugën europiane të Shqipërisë dhe rëndësinë e standardeve demokratike në procesin e integrimit.

Në këtë takim ishin të pranishëm të gjithë kryetarët e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Europian dhe qindra parlamentarë.

Në fjalën e saj, deputetja e PD, Albana Vokshi u shpreh se aspirata e Shqipërisë është të bëhet një vend i krahasueshëm me Danimarkën, e cila konsiderohet model i shtetit të së drejtës dhe i mungesës së korrupsionit. Ajo theksoi se ‘rruga drejt Danimarkës’, simbolizon përpjekjen për çrrënjosjen e korrupsionit dhe vendosjen e një demokracie funksionale.

Duke folur para përfaqësuesve të parlamenteve kombëtare të vendeve të BE-së dhe eurodeputetëve, Vokshi nënvizoi se Evropa nuk mund të jetë e plotë dhe e sigurt pa Ballkanin Perëndimor, por theksoi se kontributi i rajonit në BE është i mundur vetëm nëse vendet qeverisen nga ligji dhe standardet demokratike.

Vokshi u bëri thirrje institucioneve europiane të vijojnë mbështetjen për reformat që garantojnë sundimin e ligjit, pavarësinë e drejtësisë, lirinë e medias dhe integritetin zgjedhor, duke theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i bazuar në meritë dhe progres të matshëm sipas kritereve të Kopenhagës.

‘Vetëm duke garantuar drejtësi të vërtetë, zgjedhje konkurruese, institucione funksionale dhe respektimin e të drejtave themelore, një vend mund të jetë kontributor i denjë në Bashkimin Europian,’ u shpreh deputetja Albana Vokshi, duke shtuar se Shqipëria mund t’i arrijë këto standarde me mbështetjen e partnerëve europianë.

Fjala e deputetes së PD, Albana Vokshi:

Faleminderit zonja Kryetare,
Sot jam shumë e kënaqur që flas, si pjesë e delegacionit shqiptar, mbi aspiratën tonë për t’u bërë një vend si Danimarka. Në ekonominë politike, Danimarka përshkruhet si shteti ideal i mungesës së korrupsionit, dhe përpjekjet për të çrrënjosur korrupsionin përshkruhen metaforikisht si ‘rruga drejt Danimarkës, për t’u bërë si Danimarka’.
Ardhur nga Shqipëria, besoj se Evropa nuk do të jetë e plotë dhe e sigurt pa Ballkanin Perëndimor. Por vendet e Ballkanit Perëndimor mund ta forcojnë BE-në dhe ta bëjnë atë më të sigurt vetëm nëse qeverisen nga ligji dhe nga standardet demokratike.
Jam e bindur se procesi i zgjerimit duhet të ndjekë një standard të vetëm për të gjithë, dhe jo standarde të dyfishta. Vullneti politik dhe konsideratat gjeopolitike nuk mjaftojnë. Një vend:
që nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme,
që ka korrupsion endemik,
që ka gjyqësor të kompromentuar dhe të politizuar,
ku parlamenti është jofunksional dhe mungojnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës,
ku pushteti është i përqendruar në një dorë,
e ka të vështirë të bëjë përparim real e të vërtetë.
Ndaj, ju bëj thirrje për vijimin e mbështetjes tuaj për reforma që garantojnë sundimin e ligjit, pavarësinë e drejtësisë, lirinë e medias dhe integritetin zgjedhor, në përputhje me një proces anëtarësimi të bazuar në meritë dhe me progres demokratik të matshëm në respektim të kritereve të Kopenhagës.
Vetëm duke garantuar drejtësi të vërtetë, zgjedhje konkurruese, institucione funksionale dhe respektim të të drejtave themelore, një vend mund të bëhet një kontributor i vërtetë në BE.
Jam e bindur se ne mund t’i arrijmë këto standard, dhe me mbështetjen tuaj, ne do t’ia dalim!
Faleminderit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb