Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, i ka kërkuar falje qytetarëve për rastin e një dite më parë, të publikuar në një emision investigativ, ku doli me video e audio punonjësit të  Kadastrës së Sarandës duke i kërkuar para një qytetari për legalizim.

Lame tha se ka shumë raste të tilla abuzimesh, ndërsa shtoi se qytetarët të ankohen kur kanë të drejtë, ose në drejtoritë rajonale, ose te ai në Tiranë.

“Mund të them se duhet të jesh tërësish idiot për të mos kuptuar se ç’po bëhet vitet e fundit, në luftën kundër korrupsionit. Është rast i veçuar dhe jo i përhapur. Mund të them shumë gjëra të këtij lloji, por nuk do e them. Do i kërkoj ndjesë shqiptarëve në emër të institucionit që drejtoj. Do i kërkoj ndjesë edhe punonjësve të ndershëm të Kadastrës.

Falenderime i shkojnë edhe mediave. Kjo për faktin se mikrofoni mbërrin edhe atje kur dora ime nuk mbërrin. E them këtë sepse nuk vihen në diskutim përpjekjet tona në këtë drejtim. Vitet e fundit në Sarandë janë larguar nga puna 8 punonjës. Ju nuk më keni parë të dal e të mburrem për shifra. Unë mundohem t’i largoj vetë personat problematik. Janë kallëzuar në prokurori 8 raste abuzimesh.

Janë marrë mbi 100 masa ndaj punonjësit. Të gjithë ne që nga unë, punojmë në një sektor të paragjykuar. Jemi të paragjykuar se punojmë në një sektor me risk të madh. Po përpiqemi të vendosim rregullin. Jemi të paragjykuar se punonjësit janë dhe produkt i ambientit kur jetojmë të gjithë. Ajo që po ndodh me shërbimet online është epokale. Po ndryshon si nata me ditën shpejtësia e shërbimeve. I drejtohem edhe njëherë veç e veç punonjësve të kadastrës. Mos e merrni veten në qafë dhe të josheni nga shuku i parave. I drejtohem qytetarëve. Kini besim te Kadastra e Shqiptare, nëse gjendeni në situata si ajo e djeshmja kërkoni me forcë të drejtën tuaj, ose në drejtorinë rajonale, ose te unë në Tiranë”, tha Lame.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: