Skuadra e Vllaznisë po kalon një moment pozitiv në kampionat, teksa kuqeblutë kanë shijuar dy ditë “relaksi” pas fitores së rëndësishme 2-1 ndaj AF Elbasani.
Triumfi i së dielës jo vetëm që solli tre pikë me peshë në renditje, por edhe riktheu entuziazmin në kampin shkodran, duke konfirmuar formën e mirë të skuadrës në këtë fazë të sezonit. Menjëherë pas duelit të luajtur të dielën, stafi teknik vendosi që dita e hënë të mos ishte një seancë e zakonshme stërvitore. Në vend të saj, futbollistët zhvilluan një seancë rikuperimi në ambientet e pishinave të brendshme në qytetin e Shkodrës.
Një zgjedhje e menduar për të çlodhur muskujt dhe për të rikthyer energjitë, sidomos pas një përballjeje intensive ku skuadra dha maksimumin deri në minutën e fundit. Atmosfera në grup ka qenë mjaft pozitive. Lojtarët kanë përfituar nga kjo formë alternative përgatitjeje, duke shmangur ngarkesën fizike në fushë dhe duke i dhënë përparësi rikuperimit. Ky menaxhim i kujdesshëm i ngarkesave vjen pas një periudhe të ngjeshur ndeshjesh, ku ritmi ka qenë i lartë dhe pushimi pothuajse i “ndaluar”.
E marta ka qenë totalisht pushim për skuadrën. Një vendim i trajnerit Martini, i cili ka dashur të shpërblejë futbollistët për përkushtimin dhe sakrificat e javëve të fundit. Ky pushim i plotë ka shërbyer si një frymëmarrje e nevojshme për grupin, duke ndihmuar jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në atë psikologjik.
Ndërkohë, ditën e mërkurë ekipi i është rikthyer përgatitjeve të zakonshme në fushë. Seanca është karakterizuar nga intensiteti dhe përqendrimi, por mbi të gjitha nga një frymë optimizmi. Fitorja ndaj Elbasanit ka rritur besimin në grup dhe tashmë fokusi është i gjithi te ndeshja e radhës, ku Vllaznia synon të vijojë serinë pozitive.
Stafi teknik pritet të punojë me detaje taktike dhe situata loje gjatë ditëve në vijim, ndërsa konkurrenca brenda skuadrës mbetet e lartë. Me moralin e ngritur dhe energjitë e rikuperuara, kuqeblutë duken të gatshëm për sfidat që i presin, duke synuar të konsolidojnë pozitat dhe të mbajnë gjallë objektivat sezonalë.
