Një djalë 5-vjeçar ka humbur jetën në Japoni gjatë pushimeve familjare, pasi dora e tij u ngec në një shkallë lëvizëse në një resort skish në Hokkaido, njoftuan mediat japoneze duke cituar policinë.
Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, më 28 dhjetor, në resortin e skive Asarigawa Onsen, në qytetin Otaru. Sipas autoriteteve, fëmija, i identifikuar si Hinata Goto, po përgatitej të zbriste nga shkalla lëvizëse kur u rrëzua dhe dora e tij e djathtë u bllokua në pajisje.
Pajisja ishte e pajisur me një mekanizëm sigurie, i cili normalisht ndalon funksionimin në rast bllokimi, por ky mekanizëm nuk u aktivizua. Shkalla u ndal vetëm pasi nëna e fëmijës shtypi butonin e ndalimit emergjent. Ekipet e shpëtimit punuan për rreth 40 minuta për të çmontuar një pjesë të pajisjes dhe për ta liruar fëmijën, i cili ishte pa ndjenja. Ai u transportua në spital, ku më vonë u shpall i vdekur.
Menaxhmenti i resortit deklaroi se mekanizmi i sigurisë ishte çaktivizuar më herët gjatë ditës. Policia ka nisur një hetim për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë profesionale në ndërtimin, mirëmbajtjen ose funksionimin e pajisjes. Shkalla lëvizëse, e instaluar rreth gjashtë vjet më parë, është rreth 30 metra e gjatë dhe 60 centimetra e gjerë, pa parmakë, dhe shërben për të lidhur zonën e parkimit me pistat e skive. Mediat lokale raportojnë se edhe vizitorë të tjerë janë penguar më parë gjatë përdorimit të së njëjtës pajisje.
“Edhe si i rritur, ndonjëherë mendon se është pak e frikshme,” tha një klient i rregullt për gazetën Asahi Shimbun. Një zëdhënës i resortit Asarigawa Onsen kërkoi falje për incidentin dhe tha se do të merren masa për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen. Hokkaido njihet si destinacioni kryesor i skive në Japoni dhe çdo vit mirëpret miliona vizitorë, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.
