Ish-deputetja e PD, njëherazi drejtoreshë e Përgjithshme e “Focus Media News”, Dhurata Çupi theksoi se Shqipëria sot ka nevojë për 94 bashki, pasi sipas saj, pushteti vendor duhet të jetë më afër qytetarit.
Çupi theksoi se reforma aktuale territoriale ka qëllime të pastra politike nga ana e PS, pasi sipas saj, në qarqe të majta janë shtuar bashkitë, kurse në ato të djathta janë pakësuar.
“Përfaqësimi i drejtë i qytetarëve është raporti që është i depozituar në kuvend me 94 bashki. Ku kryebashkiaku apo punonjësi të jetë më afër qytetarit. Ka raporte të ndryshme me vende të ndryshme në BE. Ka bashki me 6500, ashtu siç ka bashki me 22 000. Ne kemi mesatare prej 47 000 banorë për Bashki që në gjykimin tim është i madh. Sot është e domosdoshme që të jetë pushteti vendor më afër qytetarët.
Reforma aktuale është bërë me qëllime të pastra politike nga PS.
Taktika e PD për Reformën Territoriale nuk është për të përfituar politikisht, se sa një reagim në shërbim të qytetarëve. Nga 2013 janë miratuar disa reforma përfshirë edhe territorialen. Ishte pa dakordësinë e palëve dhe është pothuajse e dështuar kjo që është aktuale sepse nuk mori vullnetin
Bashkitë sot janë totalisht të varura nga pushteti qendror. Reforma nuk ndau bashkitë në rurale dhe urbane, por i bashkoi dhe as unifikoi territorin midis zonave urbane dhe rurale. Sot fatkeqësisht, jo vetëm si eksperte e pushtetit vendor, por edhe si qytetare zonat rurale janë të pazhvilluara, nuk ka rrugë, nuk ka ndriccim, shërbimi publik bazë mungon, për të mos folur pastaj për zhvillimin e turizmit.
Kam qenë deputete në Qarkun e Dibrës dhe zonat rurale janë të paprekura, tek tuk mund të gjendet ndonjë investim kryesisht me mbështetjen dhe synimin për të forcuar kapacitetet e partisë në pushtet dhe për t’i patur aty si pika elektorale. Reforma është e dështuar, uroj që reforma e re të sjellë ndonjë zhvillim në të mirë të publikut. Para 2 vitesh kam qenë bashkëkryetare e komisionit të reformës territoriale së bashku me Anila Denajn e PS, raporti që lexova në Kuvend është i pavotuar, në seancë z.Balla tha se s’do ta votojmë kurrë raportin e opozitës sepse ka gjetje.
Ne propozuam 94 bahski dhe ndarjen në 12, 6 ose 3 qarqe, dhe një ekuilibër të qarqeve të vogla dhe të mëdha, një ndarje të mirë dhe korrekte të numrit të banorëve, duke patur parasysh edhe traditat që i bashkon bashkitë, territorin, relievin. Këto kanë qenë propozimet tona”, tha Çupi.
