Dalai Lama ka kërkuar falje pas zhurmës së shkaktuar nga një video ku ai shfaqej duke puthur një djalë në buzë dhe duke i kërkuar që të “thithte gjuhën e tij” brenda një tempulli në Indi. Skena, e përshkruar nga shumë komentues në mediat sociale si “e papërshtatshme” dhe “e neveritshme”, u shpalos gjatë një ngjarjeje publike në Manastirin Namgyal në Dharamsala. Në këtë ngjarje të veçantë, e cila u zhvillua në fund të shkurtit, morën pjesë rreth 100 studentë të rinj që kishin përfunduar një program arsimor të Fondacionit Indian M3M.

Dalai Lama, Tenzin Gyatso, është figura më e shenjtë e budizmit tibetian dhe ka jetuar në mërgim që nga viti 1959 në Indi, ku u arratis për shkak të aneksimit të Tibetit nga Kina. Në videon që u bë virale, shihet një nga studentët e rinj teksa i afrohet mikrofonit gjatë ngjarjes dhe e pyet Dalai Lamën: “A mund të të përqafoj?”, ndërsa 87-vjeçari i thotë djalit të afrohet te platforma ku është ulur. Duke treguar faqen e tij, ai dëgjohet duke thënë “këtu fillimisht” dhe më pas fëmija e puth dhe e përqafon.

Duke vazhduar të mbajë në krahë djalin e vogël, Dalai Lama dëgjohet duke thënë “Unë mendoj edhe këtu” dhe më pas e puth djalin në gojë. “Dhe fërko gjuhën time”, shton më pas Dalai Lama, duke mbështetur ballin e tij me ballin e atë të djalit dhe më pas nxjerr gjuhën jashtë. Pastaj Dalai Lama qeshi dhe e tërhoqi djalin drejt tij për një përqafim tjetër. Siç vë në dukje Guardian, të pranishmit e tjerë të ngjarjes kanë qeshur. Udhëheqësi shpirtëror i monastizmit tibetian foli më pas me djalin, duke e këshilluar që të ndiqte ata që krijojnë “paqe dhe lumturi” dhe jo ata “që vazhdimisht vrasin njerëz të tjerë”.

Sipas BBC, nxjerrja e gjuhës jashtë mund të jetë gjithashtu një “formë përshëndetjeje” në Tibet. Pas zhurmës së mediave sociale për skenën e çuditshme, zyra e Dalai Lamës lëshoi një deklaratë duke kërkuar falje për atë që ndodhi në ngjarje dhe e quajti atë një shaka të pafajshme.

“Shenjtëria e tij dëshiron t’i kërkojë falje djalit dhe familjes së vogëlushit, si dhe miqve të tij të shumtë në mbarë botën, për dhimbjen që mund të kenë shkaktuar fjalët e tij. Shenjtëria e tij shpesh ngacmon njerëzit që takon në mënyrë të pafajshme dhe lozonjare, edhe në publik dhe para kamerave. Ai ndihet keq për ngjarjen”, thuhet në reagim.


(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: