Presidenti i Ukrainë, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se Vladimir Putin ka dështuar t’i thyejë ukrainasit katër vjet pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë.
“Sot shënon saktësisht katër vjet që kur Putini filloi ofensivën e tij tre-ditore për të marrë Kievin”, shkroi Zelensky në një mesazh në Telegram. “Dhe kjo thotë shumë për rezistencën tonë, për mënyrën se si Ukraina ka luftuar gjatë gjithë kësaj kohe.”
Ai theksoi se pas këtyre fjalëve qëndrojnë “miliona njerëz, një guxim i jashtëzakonshëm, punë e palodhur dhe këmbëngulje”, duke shtuar se Ukraina ka bërë një rrugë të gjatë që nga 24 shkurti 2022.
“Ne e kemi mbrojtur pavarësinë tonë, nuk e kemi humbur shtetësinë tonë. Putini nuk i ka arritur qëllimet e tij. Ai nuk i ka thyer ukrainasit, ai nuk e ka fituar këtë luftë. Ne e kemi ruajtur Ukrainën dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur paqen dhe drejtësinë. Lavdi Ukrainës!”, u shpreh ai.
Në një intervistë për CNN nga Kievi, Zelensky i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të qëndrojë në anën e Kievit, ndërsa Ukraina shënon katërvjetorin e luftës.
“Dua që ai të qëndrojë në anën tonë”, tha Zelensky, duke iu referuar fjalimit të Trump për Gjendjen e Kombit. Ai shtoi se beson që presidenti amerikan dhe ekipi i tij me të vërtetë duan t’i japin fund kësaj lufte.
Sipas tij, komunikimi mes ekipeve negociuese ukrainase dhe amerikane është i mirë, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit vazhdojnë.
Katër vjet pas nisjes së luftës, Ukraina vazhdon të përballet me sfida të mëdha në front dhe në diplomaci, por udhëheqja e saj këmbëngul se rezistenca dhe mbështetja ndërkombëtare mbeten çelësi për arritjen e paqes “sipas kushteve të Ukrainës”.
