Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi të martën se do t’i ndërpresë Ukrainës aksesin në det në përgjigje të sulmeve me dronë ndaj anijeve cisternë të “flotës në hije” të Rusisë në Detin e Zi.

“Zgjidhja më radikale është ta shkëpusim Ukrainën nga deti, atëherë pirateria do të jetë e pamundur në parim”, tha Putin në një deklaratë televizive.

Ai tha se Rusia do të intensifikojë sulmet ndaj objekteve dhe anijeve ukrainase dhe do të marrë masa kundër anijeve cisternë të vendeve që ndihmojnë Ukrainën.

Të shtunën, një zyrtar ukrainas i sigurisë tha se dronët detarë ukrainas goditën dy anije cisterna të sanksionuara në Detin e Zi , ndërsa ato po shkonin drejt një porti rus për t’u ngarkuar me naftë të destinuar për tregjet e huaja.

Të martën, një anije cisternë me flamur rus e ngarkuar me vaj luledielli raportoi një sulm me dron në brigjet turke, por 13 anëtarët e ekuipazhit të saj mbetën të padëmtuar, thanë autoriteti detar i Turqisë dhe agjencia e transportit detar Tribeca. Ukraina tha se nuk kishte të bënte fare me atë incident.

Ukraina ka kryer gjithashtu sulme me raketa dhe dronë në portin rus të Novorossiysk në Detin e Zi, të cilat kanë ndërprerë dërgesat e naftës.

Putini nuk dha detaje mbi kërcënimin e tij për të ndërprerë aksesin detar të Ukrainës. Rusia ka pushtuar pjesë të mëdha të Ukrainës jugore dhe lindore në luftën që filloi në shkurt të vitit 2022, por Ukraina ende kontrollon fort portet kryesore, përfshirë Odesën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb