Presidenti rus Vladimir Putin ka miratuar propozimin e kryeministrit Mikhail Mishustin për riorganizimin e qeverisë, raportojnë agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, duke cituar Kremlinin. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri të ditur se propozimet për ndryshime në përbërjen e qeverisë u paraqitën gjatë një takimi ku u diskutuan edhe çështje sociale dhe ekonomike.
“Së bashku me një diskutim mbi çështjet sociale dhe ekonomike, kryeministri i propozoi kreut të shtetit një sërë ndryshimesh në figurat që përbëjnë qeverinë. Putini u pajtua me to”, deklaroi Peskov, sipas mediave shtetërore ruse.
Riorganizimi vjen pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, në të cilat u rinovuan vendet në Dumën Shtetërore. Ndryshimet ndërmerren në një kohë kur Moska po kërkon burime të reja për rritjen ekonomike, ndërsa përballet me një deficit buxhetor në rritje, taksa më të larta dhe norma relativisht të larta interesi. Emrat e ministrave të rinj nuk janë bërë ende publikë. Emërimet do t’i nënshtrohen miratimit parlamentar. Ndërkohë, qeveria ka konfirmuar se ministri i Financave, Anton Siluanov, do të qëndrojë në detyrë, por do të marrë përsipër edhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit.
