Presidenti rus Vladimir Putin ka mirëpritur planin e paqes që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë të paraqitur nga presidenti kinez Xi Jinping.

“Ne konstatojmë se shumë nga pozicionet në planin e paqes të paraqitur nga Kina pajtohen me qasjet ruse dhe mund të bëhen baza për një zgjidhje paqësore, pasi Perëndimi dhe Kievi të jenë gati për të,” tha Putin pas bisedimeve me presidentin kinez.

Xi tha se Kina po i përmbahej “qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së”. Ai theksoi se Kina po merrte një “pozicion objektiv dhe të paanshëm” për konfliktin.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se të dy udhëheqësit kishin diskutuar mbi Ukrainën për më shumë se katër orë. “Kishte një mundësi për të sqaruar gjithçka,” tha Peskov, duke shtuar se të dy kishin dëgjuar njëri-tjetrin. “Kjo është gjëja më e rëndësishme.”

Rusia dhe Kina thanë në një deklaratë të përbashkët se partneriteti i ngushtë mes tyre nuk përbën një “aleancë ushtarako-politike”.

“Palët vërejnë se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës, megjithëse nuk përbëjnë një aleancë ushtarako-politike të ngjashme me ato të krijuara gjatë Luftës së Ftohtë, janë superiore ndaj këtij lloji të bashkëpunimit ndërshtetëror”, thanë të dyja palët pas samitit.

Këto marrëdhënie “nuk përbëjnë një bllok, nuk kanë natyrë konfrontuese dhe nuk janë të drejtuara kundër vendeve të treta”, thanë ata.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb