Në orën 21:00 (me orlën okale në Shqipëri), në Alaskë do të mbahet takimi i shumëpritur mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Kryetemë e samitit do të jetë konflikti në Ukrainë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe dhënien fund të luftës që vazhdon prej disa vitesh. Liderët pritet të diskutojnë edhe për çështje të ndjeshme si kufijtë dhe shkëmbimi i territoreve, teza që kanë qarkulluar prej kohësh.

Takimi fillestar do të jetë ‘kokë më kokë’, i ndjekur më pas nga një sesion me delegacionet përkatëse dhe një drekë pune.

Përpara nisjes së samitit, Trump deklaroi se beson se Putin dëshiron të arrijë paqe në Ukrainë dhe se presidenti rus nuk do të “luajë lojëra” gjatë bisedimeve. Ai shtoi se, nëse nuk arrihet mirëkuptim, takimi mund të përfundojë brenda pak minutash.

“Do ta kuptojmë menjëherë pozicionin e secilit. Dhe unë do ta di brenda dy, tre, katër apo pesë minutave nëse do të kemi një takim të mirë apo jo,” tha Trump nga Shtëpia e Bardhë.
“Nëse është një takim i keq, do të përfundojë shumë shpejt. Por nëse është i mirë, atëherë mund të arrijmë paqen shumë shpejt,” shtoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk do të marrë pjesë në bisedime, ndërsa diskutimet do të përqendrohen kryesisht tek çështjet e Ukrainës dhe marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Rusisë.

Ende nuk është konfirmuar nëse pas takimit do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp mes Trump dhe Putin, edhe pse kjo ide ka qarkulluar në mediat ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb