Merkatoja e dimrit po shkon drejt fundit dhe klubet po nxitojnë të mbyllin marrëveshjet e fundit me qëllim forcimin e ekipeve, ndërsa i vetmi nga legjionarët tanë kuqezi, që ende pritet të gjejë një sistemim këto ditë është mesfushori i Torinos, Kristjan Asllani.

Megjithatë orët e fundit duket se puzzle i së ardhmes së mesfushorit dalëngadalë po merr zgjidhje. Kristjan Asllani ka vendosur që të mos largohet nga Italia, pavarësisht ofertave shumë të rëndësishme që ka marrë kohët e fundit. Sipas “Tuttosport”, kjo ka sjellë në një tjetër refuzim të një oferte të rëndësishme që ka ardhur në adresë të mesfushorit.

Klubi i Beshiktash ishte shumë i interesuar për të afruar Asllanin gjatë merkatos së janarit, teksa kishte bërë gati një ofertë të rëndësishme ekonomike për të si dhe për Interin që zotëron kartonin e tij pasi ai të kthehet nga huazimi nga Torino. Por duket se edhe kjo ofertë nuk është marrë në konsideratë nga futbollisti shqiptar i cili sipas gazetës së njohur italiane e ka refuzuar atë.

Të njëjtat burime theksojnë se tashmë Asllani i ka ngulur sytë Bolonjës, një klubi që e kishte kërkuar që në verë dhe po pret që kjo e fundit të bëjë hapin e radhës për të siguruar një akord me Interin për të. Trajneri Vinçenco Italiano raportohet se është një admirues i futbollistit të Kombëtares shqiptare dhe ai do të kishte hapësira të rëndësishme në radhët e kësaj skuadre. Orët në vijim pritet të hedhin më shumë dritë mbi enigmën e së ardhmes së Asllanit, e cila vijon të jetë pa më të voglin dyshim telenovela e kësaj merkatoje janari.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: