Irani ka kërkuar me urgjencë ndihmë të huaj për të vënë nën kontroll një zjarr të madh që prej ditësh po shkatërron pyjet e mbrojtura në veriun e vendit. Zjarri, i cili fillimisht u shfaq në fillim të muajit dhe u shua pas disa ditësh, është rindezur më 15 nëntor, raportoi agjencia shtetërore IRNA.

Bëhet fjalë për kompleksin pyjor që shtrihet rreth 1,000 kilometra përgjatë brigjeve të Detit Kaspik, duke përfshirë territore në Iran dhe Azerbajxhan. Këto pyje konsiderohen “unikale” nga UNESCO, për shkak të moshës së tyre të vlerësuar në 25–50 milionë vjet dhe biodiversitetit të jashtëzakonshëm, me mbi 3,200 lloje bimësh të regjistruara.
Zëvendësi i Presidentit iranian, Mohammad Jafar Ghaempanah, njoftoi në platformën X se vendi është përballur me pamundësinë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe rrezikun serioz që ato të dëmtojnë zona të tjera pyjore.

“Përballë pamundësisë për të përmbajtur zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij në pyjet përreth, Irani ka kërkuar ndihmë urgjente nga vendet mike,” shkroi Ghaempanah.
Ekipet vendase të zjarrfikësve dhe vullnetarëve kanë qenë në terren për ditë me radhë, por terreni malor dhe kushtet atmosferike të paqëndrueshme kanë vështirësuar operacionet e shuarjes. Ende nuk është bërë e ditur se cilat vende kanë ofruar ndihmë dhe çfarë ndihme specifike kërkohet, por autoritetet iraniane paralajmërojnë se çdo vonesë rrit rrezikun e dëmeve të pakthyeshme në këtë pasuri natyrore të rrallë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: