Një 27-vjeçar u arrestua nga Policia në zonën e “Kthesës së Kamzës”, pasi qarkullonte me armë zjarri dhe kanosi një shtetas pas një konflikti për motive të dobëta. Në pranga ra edhe vëllai i tij, i cili dyshohet se fshehu armën pas ngjarjes.

Të arrestuarit janë shtetasit Ledio dhe Ronaldo Matranxhi. Policia sekuestroi armën e gatshme për qitje, municion dhe një automjet. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga një 27-vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri dhe kanosi një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Në pranga edhe vëllai i tij, i cili fshehu armën e zjarrit menjëherë pas ngjarjes.

Sekuestrohen arma e zjarrit, me fishek në fole, gati për qitje, municion luftarak dhe një automjet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin Nr. 7, pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës” një shtetas kishte kanosur me armë zjarri një 32-vjeçar, gjatë një konflikti mes tyre, organizuan punën dhe ndërhynë me shpejtësi për kapjen e autorit të dyshuar.

Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  • L. M., 27 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri shtetasin A. R., 32 vjeç.
  • R. M., 25 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit të përdorur nga vëllai i tij, menjëherë pas ngjarjes.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën armën e zjarrit të përdorur në ngjarje, një sasi municioni luftarak dhe automjetin, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: