NGA ORNELA MANJANI*
Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Sonila Qato u bën thirrje pronarëve që kanë një vendim për vlerësimin e pronës, të shkojnë pranë Agjencisë dhe të plotësojnë formularin për të aplikuar për ekzekutimin e vlerësimit përfundimtar. Bëhet fjalë për rreth 4 mijë vendime të viteve 1993 dhe 1994 për të cilat ATP-ja ka dhënë një vlerësim financiar. Ndërsa për pronarët që nuk janë dakord me vlerësimin e Agjencisë ka skaduar afati për apelim, pasi ky afat, siç përcaktohet në pikën 1 të nenit 19, të ligjit nr. 133/2015, datë 05.12.2015, u lë të drejtë pronarëve të ankohen kundër vlerësimit financiar të kryer nga ATP-ja për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit. Data e publikimit ishte 30 maji i këtij viti dhe ky afat ka skaduar prej 5 ditësh. Shpjegimet e drejtoreshës së ATP-së janë dhënë në përgjigjen që ajo i kthen kreut të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

Përgjigjja
“Në përgjigje të shkresës suaj, administruar pranë ATP-së me nr. 2347, datë 27.06.2016, përmes së cilës keni kërkuar informacion se prej cilës datë bëhen tituj ekzekutivë vlerësimet e publikuara në regjistrin elektronik nga ana e ATP-së, ju sqarojmë se: Agjencia e Trajtimit të Pronave, në zbatim të ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr.223, datë 23.03.2016, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, ka publikuar regjistrin e vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës të subjekteve të shpronësuara, si dhe vlerësimet e vendimeve për vitet 1993 dhe 1994. Regjistri elektronik është bërë publik në faqen zyrtare të ATP-së, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe në media në datën 30.05.2016. Sa më sipër, për vendimet e vlerësuara financiarisht të viteve 1993 dhe 1994, subjektet mund të paraqiten pranë ATP-së për të aplikuar për ekzekutimin e vlerësimit përfundimtar të vendimit në përputhje me kriteret e përcaktuara në VKM-në nr. 223, datë 23.03.2016, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”. Gjithashtu, në bazë të pikës 1 të nenit 19, të ligjit nr. 133/2015, datë 05.12.2015, çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet kundër vlerësimit financiar të kryer nga ATP-ja për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit”, thuhet në përgjigjën e drejtoreshës së ATP-së, Sonila Qato drejtuar Rapo Danushit, kryetar i shoqatës kombëtare “Pronësi me Drejtësi”.

Vendimi
Vendimi rregullon përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar dhe atij fizik për kompensimin e pronave. Sipas tij, Agjencia e Trajtimit të Pronës vlerëson financiarisht të gjitha vendimet përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit në Republikën e Shqipërisë, sipas rendit kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm.

ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, të përkufizuar në ligjin nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, duke proceduar, si më poshtë vijon:

a) vlerëson financiarisht pronën e njohur për kompensim, në bazë të zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, duke u bazuar në hartën e vlerës;

b) vlerëson financiarisht pronën e kthyer, duke përcaktuar diferencën që do të rezultojë ndërmjet vlerës së saj sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit;

c) vlerësimit financiar të pronës së njohur për kompensim i zbret diferencën që do të rezultojë nga vlerësimi financiar i tokës së kthyer apo kompensuar fizikisht në tokën e njohur. Në rastet kur evidentohen mbivendosje të së drejtës për kompensim, ATP-ja vlerëson vendimin për kompensim dhe vijon procedurat për ekzekutimin e tij në pjesët që nuk kanë mbivendosje.

Për pjesën që është me mbivendosje, Agjencia depoziton vlerën përkatëse në një llogari të veçantë bankare të saj, e cila, pas zgjidhjes përfundimtare të mbivendosjes, që zgjidhet nga palët me marrëveshje me njëri-tjetrin ose në rrugë gjyqësore, i paguhet subjektit.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: